Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka njoftuar se nga sot, me fillim nga ora 12:00, do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat e kalimit kufitar me Serbinë.
Sipas informatave të pranuara nga zyrtarët kufitarë të palës serbe, ndërprerja vjen si pasojë e protestave të shoferëve të kamionëve në territorin e Serbisë, të organizuara për shkak të masave të ndërmarra nga Bashkimi Evropian për shoferët e rajonit.
Protestat pritet të zgjasin deri në shtatë ditë.
QKMK paralajmëron se këto protesta do të ndikojnë drejtpërdrejt në qarkullimin e mjeteve të transportit dhe mallrave, si dhe mund të shkaktojnë mbingarkesë të trafikut në zonat kufitare të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit të përfshira në protesta.






