Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka dhënë detaje për takimet që e ngarkuara me Punë Anu Prattipati, ka zhvilluar me udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Siç bën të ditur ambasada amerikane, Prattipati ka theksuar se ‘‘të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të votojnë për përfaqësuesit e tyre’’, duke shtuar se ”bllokimi i partive të kualifikuara përmes taktikave politike ose procedurale minon demokracinë”.
Po ashtu, bëhet e ditur se Prattipati në takimet e saj me udhëheqësit e këtyre partive ka diskutuar për ngërçin e krijuar në vend, dhe se e njëjta ka theksuar që partitë duhet të punojnë së bashku për të përmbushur mandatin që populli i Kosovës u ka dhënë atyre.
‘‘Këtë javë, e Ngarkuara me Punë Anu Prattipati u takua me udhëheqësit e PDK-së, AAK-së dhe LDK-së për të theksuar një parim thelbësor demokratik: të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të votojnë për përfaqësuesit e tyre. Bllokimi i partive të kualifikuara përmes taktikave politike ose procedurale minon demokracinë. E Ngarkuara Prattipati diskutoi gjithashtu me udhëheqësit e partive ngërçin në formimin e qeverisë. Udhëheqësit e Kosovës u zgjodhën për të zgjidhur sfidat me të cilat përballet vendi i tyre dhe e Ngarkuara Prattipati theksoi se ata duhet të punojnë së bashku për të përmbushur mandatin që populli i Kosovës u ka dhënë atyre’’, ka njoftuar Ambasada.