Nënkryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami dhe Lutfi Haziri, si dhe deputetja Jehona Lushaku, pritën sot në selinë qendrore të LDK-së të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Gjatë takimit u diskutua rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, me theks të veçantë situatës së krijuar pas mos-konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Në njoftimin e LDK-së bëhet e ditur se në këtë kontekst, u theksua rëndësia e trajtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese, ku Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar lëndën për interpretim.
“Përfaqësuesit e LDK-së ritheksuan rëndësinë që ky institucion të marrë një vendim të drejtë, të bazuar në Kushtetutë dhe në interes të stabilitetit institucional, në mënyrë që vendi të dalë sa më parë nga kriza aktuale politike dhe institucionale.
LDK shpreh mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Kosovës në të gjitha fazat shtetformuese; dhe thekson se miqësia dhe partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve mbeten thelbësore për zhvillimin demokratik dhe euroatlantik të vendit” thuhet në njoftim.