Lidhja Demokratike e Kosovës e drejtuar nga Lumir Abdixhiku po preferon qëndrimin në opozitë.
Edhe pse Abdixhiku ka zhvilluar disa takime me drejtuesit e PDK-së, gjegjësisht me Memli Krasniqin dhe kandidatin për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza, nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret.
Burime të Gazeta Blic bëjnë me dije se LDK e Abdixhikut nuk ka interes për të hyrë në qeveri.“Në një takim që Abdixhiku ka pasur me Bedri Hamzën dhe pastaj ndaras me Memli Krasniqin, kreu i LDK-së ka theksuar se partia e tij preferon qëndrimin në opozitë”, thonë burimet e Gazeta Blic.
Sipas këtyre burimeve, Abdixhiku u ka thënë Hamzës e Krasniqit, që edhe nëse hyn LDK, kusht e ka postin e kryeministrit, ndonëse para zgjedhjeve merret vesh se PDK e LDK kishin një marrëveshje “xhentelmenësh” se kush del e para nga këto parti e merr postin e kryeministrit.
Sipas këtyre burimeve, Abdixhiku preferon opzozitën nga rreziku i përsëritjes së skenarit të Qeverisë së Avdullah Hotit.
“Ai e sheh si rrezik skenarin ku një qeveri e opozitës mund të bie pas pak muajsh- gjegjësisht tek presidenti në fillim të vitit të ardhshëm, dhe në atë situatë VV mund të rikthehej fuqishëm, derisa LDK mund të pësonte një goditje të madhe”, thonë burimet e Gazeta Blic.Megjithatë, thonë këto burime ditëve në vazhdim do të vazhdojnë takimet ndërmjet dy kampeve- PDK e LDK.
Në anën tjetër, merret vesh se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj kanë shprehur gatishmërinë për formimin e Qeverisë nga opozita.
“Edhe Haradinaj edhe Limaj i kanë dhënë mbështetje pa kushte kandidatit të PDK-së për kryeministër Bedri Hamzës”, tha ky burim i Gazeta Blic.
Madje, Limaj u ka thënë drejtuesve të PDK-së se vetëm kryjeni me LDK-në, votat tona i keni pa asnjë kusht”, tha tutje ky burim.Partitë në opozitë mbeten kategorikisht kundër bashkëpunimit me partinë aktualisht në pushtet.
“Me Vetëvendosjen nuk shohim pika takimi”, përsëriti kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza më 10 mars.
“Nuk duam dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta [VV-në]. Ky ka qenë qëndrimi ynë paraelektoral dhe mbetet i njëjtë”, tha kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media, po më 10 mars.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se Qeveria e re e Kosovës duhet të formohet nga partitë opozitare.Kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj kishte thënë: S’hyj në koalicion me Albin Kurtin, edhe nëse më bën president.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, partia e tij ka garuar në koalicion me partinë Nisma të Fatmir Limajt.
Limaj është i vetmi nga opozita, i cili ka thënë se nuk ka “vija të kuqe” sa u përket koalicioneve të mundshme, qoftë me Vetëvendosjen apo me partitë tjera opozitare.
Në anë tjetër, Albin Kurti ka filluar negociatat për formimin e Qeverisë së re, pas dështimit për të arritur shumicën e nevojshme për të udhëhequr vetëm.
Kështu bëjnë me dije burime të GazetaBlic, ku pas një humbje të dukshme në mbështetje, nga mbi 50% të votave në vitin 2021, në zgjedhjet e fundit ai siguroi vetëm 42.30%, një rezultat që ka minuar mundësinë për të krijuar një administratë të vetme dhe ka detyruar Kurtin të kërkojë koalicion me partitë e minoriteteve jo-serbe.