-0.5 C
New York
Monday, December 8, 2025

Buy now

Pragu vendimtar për Nismën, drejt bashkimit me PDK-në? Krejt çka tha Fatmir Limaj

- Advertisement -

Fatmir Limaj në një konferencë të jashtëzakonshme, mbrëmjen e së dielës, doli hapur para qytetarëve jo për të kumtuar ndonjë marrëveshje, por për të njoftuar që s’ka arritur të bashkohet me asnjë parti, për të garuar për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Duke folur hapur për situatën, Limaj e konfirmoi se bashkimi, siç tha ai, i shumëkërkuar me PDK-në nuk ka ndodhur, pavarësisht dëshirës së tij dhe të bashkëpunëtorëve.

Lideri i Nismës theksoi se mbështetësit e tij, veteranët, familjet e dëshmorëve, intelektualët e aktivistët, kishin pritur një lajm që do t’i gëzonte, por se ky bashkim mbeti vetëm një mundësi e humbur në këtë fazë, raporton Klankosova.tv.

Megjithatë, Limaj u tregua i vendosur se rruga nuk ka përfunduar.

Ai tha se nëse Nisma arrin të futet në Parlament, atëherë bashkimi me PDK-në do të bëhej realitet, duke krijuar një grup të fuqishëm opozitar me orientim të qartë politik e programor.

“Jam i bindur, nëse NISMA do të jetë në parlament, me grupin e vet parlamentar, do t’i bashkohemi bashkimit. Do të jemi bashkë me shokët, me shoqet, me gjithë ata që kanë kërku bashkimin me grupin parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës”, deklaroi Limaj.

Sipas tij, vetëm kështu mund të ringjallet shpresa për ndryshim dhe të ndërrohet qeverisja, transmeton Klankosova.tv

Duke folur për garën elektorale, Limaj pranoi hapur se kalimi i pragut është sfidë e madhe, pasi partia e tij po garon e vetme.

Por ai mbeti optimist, duke i bërë thirrje qytetarëve t’i besojnë votën dhe ta ndihmojnë.

“Kam kaluar qindra pragje, s’ka pasë prag që më ka ndalë. Më ndihmoni ta kaloj pragun ligjor”, tha ai.

Limaj tha se ndihet “zemërplotë” nga angazhimi i bërë, edhe pse i zhgënjyer që nuk arritën të japin lajmin që shumëkush e priste.

Të ngjashme

Të fundit