Pozhari: Zgjedhjet me gjasë po na trokasin në derë

- Advertisement -

Analisti politik Xhevdet Pozhari ka folur për situatën politike në vend dhe pezullimin e dekretit të presidentes Vjosa Osmani, duke vlerësuar se zhvillimet e fundit mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Pozhari tha se me gjasë të madhe vendi mund të përballet me zgjedhje të parakohshme, ndërsa debati politik mund të zhvendoset tek data e mbajtjes së tyre.

“Jemi para një dileme ku zgjedhjet me gjasë të madhe po na trokasin në derë dhe tash ndoshta debati do të zhvendoset tek data e mbajtjes së tyre”, ka deklaruar Pozhari.

Ai shtoi se me qasjen aktuale të skenës politike dhe përbërjen e parlamentit nuk sheh gatishmëri për kompromis ndërmjet palëve.

“Me këtë qasje të skenës politike që përfaqëson ky parlament, unë nuk shoh një gjuhë kompromisi për t’i tejkaluar inatet politike. Këtu përfshihet edhe presidentja Osmani dhe nuk shohim një gjuhë që do t’i afronte palët drejt kompromisit”, u shpreh ai.

Sipas Pozharit, nëse do të kishte vullnet politik për zgjidhjen e situatës dhe për zgjedhjen e presidentit, atmosfera politike do të ishte ndryshe.

“Nëse do të kishin vullnet për zgjedhjen e presidentit apo për zgjidhjen e situatës, kjo do të reflektohej në një atmosferë tjetër politike. Por nga ajo që po shihet aktualisht, partitë më shumë po përgatiten për zgjedhje”, ka thënë Pozhari.

Të ngjashme

Të fundit