-0.9 C
New York
Saturday, December 27, 2025

Buy now

Pozhari për Hamzën: Po konsolidohet si figurë bashkuese në PDK, përllogaritjet i ka të sakta

- Advertisement -

Konsulenti politik, Xhevdet Pozhari, ka vlerësuar se kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit është duke u imponuar si figurë lidershipi brenda partisë.

Pozhari ka theksuar se fillimisht kishte skepticizëm ndaj Hamzës, duke e konsideruar atë më shumë si teknokrat sesa lider politik, por sipas tij, fushata zgjedhore e ka ndryshuar këtë perceptim.

“Unë kam qenë skeptik, sepse kam deklaruar se PDK-ja e ka lider Hashim Thaçin, ndërsa Bedri Hamza është teknokrat. Mirëpo, kam pasur skepticizëm edhe për mënyrën se si do ta bënte fushatën për një periudhë kaq të shkurtër dhe se si do të pritej nga elektorati”, ka deklaruar Pozhari.

Sipas tij, fushata që Hamza është duke e zhvilluar ka dëshmuar se ai është figurë bashkuese brenda PDK-së, pavarësisht dallimeve të brendshme.

“Me këtë fushatë që po e realizon, shoh që Bedri Hamza, edhe nëse ka ndasi brenda partisë, është figura që i bashkon. Në secilën parti ka ndasi, por varet nga lideri nëse është figurë përbashkuese”, është shprehur ai.

Pozhari shtoi se Hamza ka arritur të shuajë ndasitë e brendshme në PDK dhe se tashmë e sheh atë si lider të konsoliduar.

“Mendoj se i ka shuar ato zjarre brenda PDK-së dhe tashmë nuk ia kontestoj lidershipin. Për aq kohë sa do ta mbajë pozitën e kryetarit të partisë, është një njeri që bën përllogaritje të sakta”, përfundoi Pozhari.

Të ngjashme

Të fundit