Ditën e sotme, Hysamedin Feraj, nga Lëvizja Vetëvendosje, përmes një statusi të bërë në Facebook, ka postuar një “bisedë” që sipas tij e bëjnë votuesit e VV-së rreth kandidaturave për kryetar komunash, duke shkruar se kur thua që e voton AlbinKurtin por jo edhe kandidatin e VV-së për kryetar komune, i bie sikur myslimani të thotë se “E besoj Zotin, por jo Muhamedin a.s”, ose i krishteri se “e besoj atin, por jo birin (Krishtin).
Për këtë ka reaguar profesori i Filozofisë, Blerim Latifi. Ky i fundit ka thënë se deklarimi i Ferajt është ‘’ves i moçëm’’, dhe se kudo që flitet për politikanë të gjithëditur lind edhe nevoja që politikanëve dhe politikave t’u jepet një përmasë religjioze, shkruan Gazeta Express.
Po ashtu, Latifi, ka deklaruar edhe se teologjia është streha e fundit për ata që s’duan të heqin dorë nga miti i të pagabueshmit.
‘’Një eksponent ideologjik i VV-së paska përdorur terma teologjikë në apologjinë e interesit të saj për të fituar në balotazhin e zgjedhjeve lokale. Ves i moçëm është ky. Kudo ku flitet për politikanë të gjithëditur dhe politika të pagabueshme, herët a vonë lind nevoja që këtyre politikanëve dhe politikave t’u jepet një përmasë religjioze. Sepse teologjia është streha e fundit për ata që nuk duan të heqin dorë nga miti se janë të pagabueshëm në fushën më të gabueshme të veprimit njerëzor, që quhet politikë’’, ka shkruar ai. /GazetaExpress






