Videoja e publikuar është nga debati i sotëm i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku nuk mori pjesë ministrja Artane Rizvanolli. Përtej videos, mbishkrimi i përzgjedhur nga VV-ja është absolutisht i çuditshëm.
Sipas VV-së, partitë e vjetra që “sot bëjnë zhurmë”. Madje, VV-ja përmend edhe “forma të pista”.
“Është nëntoka e politikës së vjetër jo punëtorët e minierës. Janë partitë e vjetra që i kanë marrë gjithçka Trepçës, deri edhe Terminalin Doganor, që sot bëjnë zhurmë. Janë këta politikanë të vjetër duart e të cilëve janë hequr përfundimisht nga Trepça që tash provojnë forma të pista për ta rikthyer pushtetin e humbur në Trepçë.” – shkroi VV-ja në mbishkrimin e videos së publikuar para dy ore.
Ndryshe, tashmë janë bërë 8 ditë që nga nisja e grevës së urisë të minatorëve. Ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë kërkuar edhe trajtim mjekësor për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi, dje është suspenduar nga menaxhmenti i Trepçës, një vendim që u kritikua ashpër.
Por sot është mbajtur një mbledhje e Komisionit për Ekonomi, ku Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, nuk shkoi për të raportuar për grevën e minatorëve të Trepçës nën arsyetimin se ndodhet jashtë vendit.
Përkundër mungesës së ministres Rizvanolli, në Komision kishte përplasje mes pushtetit dhe opozitës. Në këtë mbledhje, fjalën e mori Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të VV-së, e cila deklaroi se duhet dëgjuar “arsyet” se pse minatorët hynë në grevë urie.
“Kryetari aktual nuk është i shkarkuar prej sindikatës, por i suspenduar…Ai me punëdhënsin ka kontratë, është përfaqësues sindikalë, është kryetar bashkë me 8 përfaqësues tjerë…Kjo është e mundur kur ne i dëgjojmë përfaqësuesit e sindikatës, arsyet dhe argumentit pse hyjnë në grevë pa këshillë grevist, pa prezantim të kustheve, pa referencë në kontratë sepse ligi mbi greva e sheh qartë se cilat janë kriteret dhe kushtet e mbatjes së grevës.” – tha ajo.
Mungesës e ministres Rizvanolli e komentoi Ferat Shala, deputet i PDK-së dhe kryetar i Komisionit për Ekonomi.
“Të enjten që shkoi kemi caktuar f rendin e ditës dhe e kam ftu ministren zyrtarisht që të raportojë sot për situatën në ndërmarrjen Trepça, të premten kemi marrë email me arsyetim që ajo nuk do të marrë pjesë se është jashtë vendit. Do të duhej të ishte ministrja këtu dhe të kishim një raport zyrtar pse minatorët nuk kanë marrë pagat me rregull, pse ministrja nuk ka bërë asnjë hap që Trusti t’u paguhet miniatorëve, pse të ndërpriten sigurimet shëndetësore…” – tha ai.
Në këtë mbledhje, kishte edhe një përplasje mes minatorëve dhe deputetit të VV-së, Armend Muja, i cili deklaroi se paga mesatare e një minatory është 950 euro. /Nacionale/