23 C
New York
Monday, June 30, 2025

Buy now

Posta zvicerane teston shërbimet shumëgjuhëshe, klientët mund të shërbehen edhe në shqip

- Advertisement -

Për të përmirësuar qasjen në shërbime për njerëzit me njohuri të kufizuara të gjuhës gjermane, Posta Zvicerane po teston një projekt inovativ në pesë degë të Cyrihut, klientët mund të marrin shërbime edhe në gjuhë të tjera, përfshirë anglishten, frëngjishten dhe shqipen, varësisht nga aftësitë gjuhësore të punonjësve në sportel, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Ky projekt pilot, i nisur në dhjetor, ka për qëllim të shfrytëzojë pasurinë gjuhësore të punonjësve të Postës, të cilët përfaqësojnë më shumë se 100 kombësi dhe flasin mbi 100 gjuhë të ndryshme. Shërbimi është i vullnetshëm dhe varet nga prania e personelit shumëgjuhësh në degë.

Zëdhënësja e medias së Postës, Silvana Grellmann, konfirmon se reagimet kanë qenë jashtëzakonisht pozitive. “Klientët e vlerësojnë shumë mundësinë për të marrë këshilla në një gjuhë që e kuptojnë. Disa janë edhe të gatshëm të presin për këtë shërbim,” tha ajo.

Në degën e Glattbrugg, ku punon Brian Santana, një punonjës që flet gjermanisht, spanjisht dhe anglisht, klientët tashmë vijnë qëllimisht për të përfituar nga ndihma shumëgjuhëshe. “Disa klientë madje udhëtojnë në Wallisellen vetëm sepse e dinë që punoj atje,” thotë ai

Ndërsa projekti po hyn tani në fazën strategjike, Posta Zvicerane po vlerëson rezultatet me mundësinë për ta shtrirë në mbarë vendin. Ndërkohë, pesë degët e Cyrihut dhe një në Zvicrën frëngjishtfolëse kanë shprehur dëshirën për të vazhduar me këtë ofertë.

Ky shërbim, ndonëse mirëpritur nga shumë, nuk është pa debat: çështja e integrimit dhe domosdoshmërisë së mësimit të gjermanishtes mbetet një temë e ndjeshme në arenën politike dhe publike.

Megjithatë, për Postën Zvicerane dhe klientët e saj, shumëgjuhësia po shihet si një pasuri, jo si pengesë.

Të ngjashme

Të fundit