Në ceremoninë e varrimit të Diogo Jotas, dhe vëllait të tij, kanë marrë pjesë shumë yje të futbollit – të Liverpoolit e kombëtares së Portugalisë – por edhe shumë të tjerë.
Mirëpo, Portugalia është tronditur me mungesën e kapitenit të saj, Cristiano Ronaldos, që nuk ka udhëtuar në Portugali për të marrë pjesë në këtë ceremoni mortore, shkruan “Express”.
Ende nuk dihen zyrtarisht arsyet e mungesës, mirëpo nga Portugalia po shqetësohen me raportimet nga Spanja.
Sipas gazetës “Ultima Hora” nga Mallorca përmes “Daily Mail”, thuhet se Cristiano Ronaldo është parë në pushime në ishull, me jahtin e tij 5.5 milion paundësh.
“Cristiano Ronaldo ka zgjedhur sërish Mallorcan si destinacion për të shijuar pushimet verore”, shkruan “Daily Mail”.
Ronaldo është një vizitor i rregullt i Mallorcas gjatë verës, ku zakonisht relaksohet me familjen në vila luksoze ose në jahtin e tij personal. Këtë vit, megjithatë, praninë e tij në ishull e ka shoqëruar një ndjeshmëri e shtuar për shkak të mungesës së tij në funeralin e bashkëkombësit të tij, Diogo Jota.
Federata Portugeze e Futbollit konfirmoi se Ronaldo nuk ishte i pranishëm në ceremoninë mortore në Gondomar, ndërsa vetë lojtari kishte shprehur ngushëllimet e tij publike në rrjetet sociale, duke e quajtur humbjen e Jotës dhe vëllait të tij “të pakuptimtë” dhe “të dhimbshme”.
Në ditën e vdekjes së Jotës, Cristiano shkruante në Instagramin e tij:
“Nuk ka fare kuptim. Sapo ishim së bashku në Kombëtare, sapo ishe martuar.
Për familjen tënde, për gruan dhe fëmijët e tu, dërgoj ngushëllimet e mia dhe u uroj të gjithë forcën e botës. E di që gjithmonë do të jesh pranë tyre.
U prehshi në paqe, Diogo dhe André. Do të na mungoni të gjithëve.”