Kombëtarja portugeze e futbollit ka regjistruar edhe fitoren e dytë në kualifikimet për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Portugalia triumfoi thellë 0:6 në udhëtim te Luksemburgu, në kuadër të Grupit J.
Cristiano Ronaldo hapi llogarinë në minutën e nëntë, për ta dyfishuar gjashtë minuta më vonë Joao Felix me kokë.
Bernardo Silva trefishoi epërsinë e Portugalisë me golin e mintuës së 18-të.
Cristiano Ronaldo regjistroi golin e dytë personal në këtë përballje dhe të katërtin për Portugalinë në minutën e 31-të.
Portugezët pauzuan së shënuari deri në minutën e 77-të kur Otavio realizoi golin e pestë.
Epilogun përfundimtar të takimit e “vulosi” Leao një minutë pa përfunduar koha e rregullt.
Portugalia është e para në grup me gjashtë pikë, dy më shumë se Sllovakia.
Portugalia në Grupin J është së bashku me Sllovakinë, Bosnjë e Hercegovinën, Islandën, Luksemburgun dhe Lihtenshtajnin.