Prishtina sot ishte e bllokuar, e stërmbushur dhe e bashkuar. Qytetarë nga të gjitha qytetet e Kosovës, nga rajoni, diaspora dhe deri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vërshuan sheshet e kryeqytetit për të dhënë një mesazh të qartë, dinjitoz dhe paqësor.
Edhe përkundër kushteve të vështira atmosferike, qytetarët qëndruan me orë të tëra në shesh, duke dëshmuar se kjo kauzë është mbi çdo dallim dhe mbi çdo interes tjetër. Prania masive dhe vendosmëria e tyre dëshmuan se kjo nuk është çështje e një individi apo një grupi, por çështje e dinjitetit kombëtar dhe e së vërtetës historike.
Mesazhi ishte i qartë: populli foli.
Dhe në emër të popullit, ata janë – ÇLIRIMTARË.
Në fazën finale të procesit në Hagë, ne presim drejtësi të paanshme dhe lirimin e çlirimtarëve. Presim që sakrifica për liri të mos relativizohet dhe që lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mos trajtohet si çështje politike.
Platforma Qytetare “Liria Ka Emër” shpreh mirënjohjen më të thellë për çdo qytetar që ishte sot në shesh, për çdo familje, të ri e të re, për çdo organizatë, shoqatë, profesionist, artist, sportist e përfaqësues të komuniteteve fetare që iu bashkuan këtij marshimi historik.
Faleminderit për qëndrimin tuaj dinjitoz, për mesazhin e qartë dhe për besimin se drejtësia duhet të jetë mbi politikën.
Sot, Kosova foli me një zë.
Dhe ai zë kërkon: Drejtësi, jo politikë.






