Shefi i qeverisë kosovare të mërkurën pati vetëm takime me ndërmjetësuesit e bllokut evropian pasi nuk pranoi të takohet me presidentin e Serbisë, pa i plotësuar tri kushtet që i parashtroi emisarëve.
Dorëzimi i Millan Radojiçiq, institucioneve të Kosovës, nënshkrimi i marrëveshjes bazë dhe tërheqja e letrës së dërguar nga ish kryeministrja Bërnabiq, kundër avancimit të Kosovës si anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Por politologët e kanë mirëpritur qasjen e kryeministrit Kurti.
“Kosova tregoi se është e gatshme për dialogun, por ky dialog është keqpërdorur, fryma e këtij dialogu është zbehur jashtëzakonisht nga Serbia, e cila në njërën anë nënshkruan marrëveshje pastaj armatos terroristët të cilët kryen akte agresive ndaj Kosovës. Përderisa nuk ka gatishmëri aq të lartë për të kryer obligimet e veta, kjo do duhej të ishte qasja që ka ndërmarrë politika e Kosovës. Prandaj qoftë nënshkrimi, qoftë largimi i rezervës që Serbia ka ndaj marrëveshjes, të trija janë keqpërdorim që po i bëhet dialogut”, tha politologu Dorajet Imeri.
Madje, sipas, analistit Fidan Ukaj, pa u plotësuar kërkesat e Kosovës në dialog, vështirë se do të ketë normalizim të marrëdhënieve në këtë aspekt.
“Siç duket është kriju kjo mos besimi dhe se Serbia nuk do të respektoi marrëveshjen duke dërguar letra në adresë të Bashkimit Evropian, dhe me të drejtë mendoj se Kryeministri ka kërkuar që të nënshkruhet marrëveshja e akorduar më herët, por në anën tjetër e kom pa si një armë të kryeministrit përballë presionit ndërkombëtarë se pa u realizuar këto tri kushte ose kërkesa të Kosovës nga Serbia, mundësia që të kthehmi në dialog është e vogël”, tha Ukaj.
Pas dështimit të këtij takimi, kryeministri, Albin Kurti, në deklaratën e tij dhënë për medie, ka bërë të ditur se takimi i radhës midis dy kryenegociatorëve, do të mbahet javën e ardhshme.