Beogradi zyrtar vazhdimisht është duke lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Këto veprime, Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit, Albin Kurti, i konsideron sulm dhe shkelje të dy pikave të vendosura në marrëveshje, gjë që sipas tij, pamundëson zbatimin e saj.
“Serbia është distancuar nga marrëveshja dhe ka dërguar letër në Bashkimin Evropian, ku thotë se marrëveshja nuk është e obligueshme ligjërisht për Serbinë dhe nuk është e pranueshme në tërësinë e saj. E ka sulmuar marrëveshjen në dy pikat e saj qendrore të cilat e pamundësojnë zbatimin e saj…Kjo është problem, në vend që të fokusohemi në zbatimin e saj, Serbia po e konteston ekzistencën e saj”, tha Zulfaj.
E gjatë së shtunës, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, foli për grupin e themeluar për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ai tha se të premten ishte tentativa e parë, por që dështoi, meqë dy vende nuk pranua diçka të tillë.
“Nuk na presin ditë të lehta për sa i përket vendimeve për anëtarësimin e Prishtinës në Këshillin e Evropës, OKB-në, presionin intensiv nga rajoni, Evropa dhe bota, por vendi duhet të zhvillohet dhe të ecë përpara. Ata u përpoqën dje, para vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për të përfunduar gjithçka, dhe falë ndërhyrjes së dy vendeve, kjo nuk ndodhi”, deklaroi Vuçiq.
Këto lëvizje politike të Vuçiqit, politologu Artan Muhaxhiri i konsideron propagandë, dhe për konsum të brendshëm.
Analisti politik, mendon se parimisht, e gjithë marrëveshja e Ohrit, është shkelur.
“Parimisht marrëveshja e Serbisë, është komplet shkelje e marrëveshjes së Ohrit, edhe do duhej që të kishte një zë më të ashpër, veçanërisht nga BE-ja, si facilituese dhe garantuese e marrëveshjes, që ta kritikonte Serbinë për këto sjellje jashtëzakonisht negative. Sa i përket Këshillit të Evropës, duket që sjellja e Serbisë, është më shumë një lloj formaliteti dhe propagande për konsum të brendshëm, sepse votat janë siguruar, ekziston një shumicë absolute e cila është pro Kosovës për anëtarësim në KiE”, tha Muhaxhiri.
Muhaxhiri shtoi se Kosova duhet të avancojë në zbatimin e marrëveshjes e cila çon në rrugën e Bashkimit Evropian, dhe në këtë rast, sipas tij, i gjithë presioni do të bije në Serbi.
Ditë më parë, në një mbledhje të jashtëzakonshme, Serbia themeloi një grup i cili do të punojë në parandalimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE.