-11.6 C
New York
Monday, February 9, 2026

Buy now

Politika po i rrezikon Kosovës mbi 1 miliard euro

- Advertisement -

Mbi një miliard euro fonde ndërkombëtare nuk po shfrytëzohen nga Kosova për më shumë se një vit. Shfrytëzimi i këtyre fondeve vazhdon të jetë peng i aprovimit nga Kuvendi i KosovësMungesa e institucioneve të reja përgjatë 2025-tës ia pamundësoi shtetit përfitimin e 882 milionë eurove nga Plani për Reforma dhe Rritje i Bashkimit Evropian (BE) dhe të mbi 120 milionë eurove të tjera nga tri marrëveshje me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) të Bankës Botërore.

Këto marrëveshje ndërkombëtare mbërritën në duart e deputetëve të legjislaturës së tetë të Kuvendit, në fund të vitit 2024. Ratifikimin po e presin që atëherë.

Nga Zyra e Bankës Botërore në Kosovë kanë pohuar muaj më parë për Radion Evropa e Lirë se afati i fundit për hyrjen në fuqi të marrëveshjes që parasheh financimin e politikës zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër, është 13 shkurti i vitit 2026, përkatësisht java e ardhshme.

Kjo Zyrë bëri të ditur, gjithashtu, se Banka Botërore i ka miratuar edhe dy marrëveshje financiare me Kosovën: projektin e forcimit të Sistemit Shëndetësor – prej 18.6 milionë eurosh dhe projektin e arsimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme, po ashtu në vlerë prej 18.6 milionë eurosh.

“Afati i fundit i hyrjes në fuqi për këto projekte është 30 prilli 2026, përkatësisht 7 maji 2026”, është thënë mes tjerash në përgjigje.

Deputeti i rizgjedhur i PDK-së, Ferat Shala ka deklaruar për “Front Online” se Kosova po humb mundësinë për të përfituar një miliard euro nga fondet ndërkombëtare për shkak të moskrijimit të institucioneve dhe mungesës së procedurave parlamentare të rregullta.

Ai ka theksuar se vonesat në krijimin e institucioneve po rrezikojnë ekonominë e vendit dhe mbajtjen në pritje të fondeve që presin tashmë më shumë se një vit.

“Nuk mund të alokohen fondet e BE, por edhe të Bankës Botërore dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtare pa u krijuar institucionet dhe pa kaluar këto në procedura të rregullta parlamentare. Kjo po rrezikon ekonominë dhe të gjitha fondet e tjera që presin tash e më shumë se një vit si rezultat i mos krijimit të institucioneve përgjegjësia direkt është për ata që edhe herën e kaluar dhe tani kanë marrë shumicën parlamentare”, tha Shala për “Front Online”.

Përfaqësuesi i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, në njëprononcim për “Front Online” ka kritikuar skenën politike në vend, duke e cilësuar si të papërgjegjshme qasjen e pozitës dhe opozitës ndaj moskrijimit të institucioneve.

Sipas tij, vonesat po rrezikojnë drejtpërdrejt ekonominë e Kosovës.

“Është një mosseriozitet i skenës politike, i pozitës dhe opozitës, që po luajnë me fatin e vendit, ekonominë, bizneset dhe me mirëqenien e qytetarëve. Duhet të formohen institucionet sa më parë dhe të votohen sa më shpejt këto marrëveshje, sepse Kosova ndodhet në gjendje të rëndë ekonomike”, tha Dreshaj.

Ai ka bërë të ditur se rreth një miliard euro fonde janë në pritje, ndërsa marrëveshjet përkatëse ende nuk janë votuar për shkak të krizës politike.

“Një miliard euro janë në pritje, ndërsa politika vazhdon të vonojë, një papërgjegjësi kolektive e pozitës dhe opozitës që po rrezikon seriozisht ekonominë e Kosovës, të ardhmen e bizneseve dhe mirëqenien e qytetarëve, në një kohë kur vendi nuk ka më luks për bllokada institucionale”, u shpreh ai.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve dhe faktorëve politikë që të veprojnë me përgjegjësi shtetërore, të tejkalojnë dallimet politike dhe të mundësojnë funksionimin e Kuvendit sa më shpejt.

Nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, Kosovës i takuan rreth 882 milionë euro, për të cilat Kosova ka miratuar agjendën e reformave – pra, se ku do t’i shpenzojë ato.

Mbi 90 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Financimit, mbështetje buxhetore për Kosovën nga ANZH e Bankës Botërore, e cila synon të përmirësojë ligjet për financat publike dhe politikat fiskale.

Ndërkaq, 21 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Kredisë me ANZH-në për ndërtimin e çerdheve të reja për fëmijët, trajnimin e stafit dhe zbatimin e një skeme të kuponëve, përmes të cilëve familjet do të kenë mundësi të dërgojnë fëmijët e tyre në këto kopshte.

E, Marrëveshja e Kredisë me ANZH-në, e destinuar për zhvillimin e Sistemit Informativ Shëndetësor në Kosovë, ka vlerën e 18 milionë e 600 mijë eurove.

Të ngjashme

Të fundit