Një burrë ka ndërruar jetë pas lëndimeve të rënda që pësoi gjatë punës në një fabrikë tullash në Gjakovë. Ngjarja tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, më 5 korrik 2025, rreth orës 21:55, ndërsa vdekja e viktimës është konfirmuar pak pas mesnate në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas raportit të Policisë, viktima ishte lënduar rëndë në rrethana ende të paqarta brenda ambientit të fabrikës.
“Viktima mashkull kosovar, në vendin e tij të punës në një fabrikë të tullave, në rrethana të panjohura ka pësuar lëndime të rënda. Fillimisht është dërguar në Qendrën Emergjente në Gjakovë dhe më pas në QKUK, mirëpo për shkak të natyrës së lëndimeve, rreth orës 00:20 të datës 06.07.2025 ka ndërruar jetë,” thuhet në raport.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa njësitet hetimore janë duke u marrë me zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.