Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në dy raste të ndara në Prizren dhe në Gjilan, ka arrestuar 6 persona të dyshuar për shitblerje të narkotikëve.
Rasti i parë sipas njoftimit të policisë ka ndodhur me datën 05.06.2024 rreth orës 22:40, patrulla e autostradës në Prizren, drejtimi i Vërmicës, ka ndaluar dy vetura me targa vendore në të cilat vetura ishin katër të dyshuarit R. V. m/k (viti i lindjes 2002), E. D. m/k (viti i lindjes 1997), P. S. m/k (viti i lindjes 2002) dhe D. T. m/k (viti i lindjes 2001).
Gjatë kontrollit të personave, janë hasur substanca të ndryshme narkotike, me ç’rast personat e dyshuar janë arrestuar në vendngjarje, ndërsa si provë materiale nga DHTN janë konfiskuar:
substancë narkotike e dyshuar për ekstazi, me peshë të përgjithshme 3 kg e 367 gramë;
-substancë narkotike e dyshuar për kokainë me peshë të përgjithshme 695.98 gr.,
-substancë narkotike e dyshuar e llojit Crack me peshë të përgjithshme 367.93 gr.,
-substancë narkotike LSD, 154 paketime;
-substancë narkotike Kanabis Sativa në formë çokolate me peshë 5.9 gr.,
-138 qese plastike të zbrazëta,
-të holla (para) në vlerë shtatë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e tetë (7788.85) euro,
-shtatë telefona mobilë,
-dy vetura të markës VW-Golf.
“Vlera e kësaj substance narkotike sipas tregut dyshohet të jetë mbi dyqind mijë (200.000) euro. Në konsultim me prokurorin e shtetit është kryer bastisje në disa lokacione, ndërsa nga prokurori i shtetit është lëshuar vendim mbi ndalimin për 48 orë të katër personave të dyshuar”, thuhet në njoftim.
Rasti i dytë gjithashtu ka ndodhur më 05.06.2024 rreth orës 14:30, gjatë implementimit të planit ‘Rrethi’ nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në qytetin e Gjilanit, nën dyshimin për shitblerje të lëndëve narkotike, janë lokalizuar dhe janë arrestuar personat e dyshuar A. S. m/k dhe B. D. m/k të cilët ishin në një veturë me targa vendore.
Në cilësi të provave materiale tek të dyshuarit janë konfiskuar:
-substancë narkotike e dyshuar për heroinë në peshë 537.8 gr. dhe vlerë rreth 8000 euro,
-substancë narkotike e dyshuar si marihuanë në peshë të përgjithshme 3. 36 gr.,
-dy telefona celularë, si dhe një veturë.
“Lidhur me rastin, në koordinim me Prokurorinë Themelore, është kryer bastisje në disa lokacione, kurse me vendim të prokurorit kujdestar të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria Kundër Trafikimit me Narkotikë, mbetet e përkushtuar në luftimin e shitblerjes së narkotikëve.