3.5 C
New York
Sunday, December 7, 2025

Buy now

Policia po heton dëmtimin e varrit të ish-aktivistit Astrit Dehari

- Advertisement -

Policia e Kosovës ka njoftuar se po heton rastin e dëmtimit të varrit të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe rasti është aktualisht nën hetime.

“Raportohet se është dëmtuar një varr. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet përkatëse policore. Rasti nën hetime nga njësitet relevante policore”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Ndryshe, lidhur me këtë incident, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar dje, duke bërë të ditur se shtylla dhe pllaka e flamurit kombëtar pranë varrit të Deharit janë dëmtuar.

Në një reagim të publikuar në Facebook, partia falënderoi Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe kërkoi zbardhjen e incidentit.

“Me keqardhje kemi marrë lajmin se është dëmtuar shtylla dhe pllaka e flamurit kombëtar pranë varrit të aktivistit tonë, Astrit Dehari. Falënderojmë të gjitha njësitë e Policisë së Kosovës për reagimin e shpejtë, ndërkaq si Lëvizje VETËVENDOSJE! jemi në pritje të hetimeve që njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës po zhvillojnë në drejtim të zbardhjes së shkaqeve apo shkaktarëve të këtij dëmtimi”, thuhet në njoftim.

Astrit Dehari, aktivist i Vetëvendosjes, kishte vdekur në vitin 2015 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku mbahej nën dyshime për terrorizëm pas sulmit ndaj ndërtesës së Kuvendit kundër marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Rrethanat mbi vdekjen e tij ende vazhdojnë të mbeten të paqarta, por Lëvizja Vetëvendosje ka këmbëngulur se bëhet fjalë për vrasje.

Të ngjashme

Të fundit