Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën ka parandaluar një rast të kontrabandës me mallra në zonën kufitare të Hanit të Elezit.
Sipas njoftimit, të shtunën rreth orës 19:00, njësia policore ka vërejtur një automjet të tipit kombi pa targa regjistrimi, i cili kishte hyrë nga Maqedonia e Veriut në Kosovë duke përdorur rrugë ilegale.
Pavarësisht tentativës së policisë për ta ndaluar automjetin, ky i fundit nuk është ndalur dhe ka dalë nga rruga duke përfunduar në një hendek.
Dy persona të dyshuar që ndodheshin në automjet e kanë braktisur atë dhe janë larguar në drejtim të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme mallrash që dyshohet se janë kontrabandë, përfshirë këpucë për meshkuj dhe femra të markave të ndryshme, mjete pune dhe kasaforta dhe veshje të ndryshme.
Me urdhër të prokurorit kompetent, automjeti dhe mallrat e gjetura janë konfiskuar dhe janë dërguar në Stacionin Policor për Mbikëqyrje Kufitare – Hani i Elezit, ndërsa do t’i dorëzohen Doganës së Kosovës për procedurat e mëtejme ligjore.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha veprimtarive ilegale, me qëllim të ruajtjes së rendit, sigurisë dhe integritetit kufitar të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e tjera ligj-zbatuese”, theksohet në njoftim.






