Shumë rrallë ndodh që Policia e Kosovës të mos dërgojë një raport për ngjarjet e 24 orëve të fundit siç bën zakonshëm çdo mëngjes. Sot një i tillë erdhi shumë më vonë dhe në këtë raport s’u përfshi ngjarja që aktualisht është më e përfolura – vdekja e një 27-vjeçari në Lipjan, i cili humbi jetën në rrethana të dyshimta pak pas arrestimit nga një patrullë policore. Për këtë rast u arrestuan pesë policë nën dyshimin se kryen veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Policia e Kosovës nuk dërgoi raportin 24-orësh mëngjesin e sotëm. Ndonëse nuk ka një orë të caktuar se kur dërgohet ky raport, zakonisht ai arrin në adresën e mediave në mëngjes.
Dyshimet u rriten që me mosdërgimin e raportit policia iu shmang dhënies së versionit zyrtar për rastin e vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan, Agon Zejnullahu.
Megjithatë, edhe kur raporti u dërgua, aty s’u përfshi rasti i vdekjes së Zejnullahut.
Refki Morina, ish-kolonel i Policisë së Kosovës, thotë se policia duhet të jetë transparente por sipas tij mosdërgimi i raportit ka mundur të ndodhë për ndonjë “arsye teknike”.
“Unë nuk mendoj kështu se policia për çdo rast është dhe duhet të jetë transparente. Kemi të bëjmë me ndonjë gabim teknik apo administrativ. Përndryshe, Policia e Kosovës pavarësisht nga rasti është dhe duhet të jetë transparente se kështu e ngrisim imazhin e Policisë së Kosovës”, tha ai në një prononcim për Gazetën Express.
Për këtë, Gazeta Express më herët iu drejtua edhe Policisë së Kosovës nëse mosdërgimi i raportit lidhet me këtë rast, por s’është përgjigjur dhe pas disa orëve dërgoi raportin.
Mbrëmjen e 7 korrikut, pas orës 12 të natës, Agon Zejnullahu humbi jetën në rrethana që ende s’janë sqaruar pak pasi u arrestua nga një patrullë e Policisë së Kosovës. Kjo e fundit tha se reagoi në këtë rast pasi pranuan informacion se dyshohej që tashmë i ndjeri ishte nën ndikimin e alkoolit dhe se po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.
“Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore dhe Prokurori për Krime të Rënda”, ka thënë policia dje për Gazetën Express.
Për vdekjen e Zejnullahut, Policia e Kosovës dje i ka arrestuar pesë zyrtarë të saj me rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Dyshimet për përdorim të tepërt të forcës gjatë arrestimit nga ana e policëve kanë trazuar opinionin publik në Kosovë.
Avokati i Popullit pak më herët njoftoi se ka hapur procedurë hetimore sipas detyrës zyrtare për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këto raste, si dhe për të monitoruar veprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.
“Ushtrimi i forcës përtej asaj të domosdoshme përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha institucioni i Avokatit të Popullit.
Ndërkaq, pjesëtarë të shoqërisë civile kanë ngritur pyetjet nëse pjesëtarët e Policisë së Kosovës po trajnohen mjaftueshëm.
“Pesë policet a e kishin trajnimin profesional te duhur për të menaxhuar situata te tilla? Pse në vitet e fundit po ndodhin skandale dhe dhunim të drejtave të qytetareve nga policë të caktuar? A është kjo si rezultat i politikave të reja të LVV qe policet e rinj nga shkollat e mesme të bëhen policë me një trajnim prej vetëm 12 javësh? A ka ndonjë politike apo strategji të adresohet ky fenomen? Ne këto vite sa policë të rinj i kemi në rrugët e Kosovës me trajnim 12 javor?”, ka pyetur Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili tha se Zejnuallhu vdiq në dorën e shtetit.
Për këtë rast reaguan edhe ministrat në detyrë, ai i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Sveçla tha se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e një të riu në Lipjan, do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar.
“Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor, do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar”, shkroi Sveçla në rrjetet sociale.
Ndërkaq, Haxhiu tha se autopsia e të ndjerit tashmë është kryer.
“Instituti i Mjekësisë Ligjore është duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore, të marra gjatë autopsisë, në mënyrë që të përfundojë sa më shpejt raporti i autopsisë”, shkroi Haxhiu.
Por, Prokuroria Themelore e Prishtinës i tha pak më herët Gazetës Express se ende s’e ka pranuar raportin zyrtar nga Instituti Mjeko-Ligjor për rastin e vdekjes së 27-vjeçarit.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokuroria Themelore në Prishtinë, deri në këtë fazë nuk ka pranuar raportin zyrtar të autopsisë nga Mjekësia Ligjore, lidhur me rastin e viktimës A.Z”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për Express.
Nga ky institucion kanë thënë se për çdo zhvillim lidhur me rastin në fjalë do të ketë njoftime me kohë.
Po ashtu, në një përgjigje tjetër për Express, Prokuroria Themelore në Prishtinë në një përgjigje për Gazetën Express ka konfirmuar arrestimin e pesë policëve, të cilët janë të dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
“E konfirmoj se janë arrestuar pesë zyrtar policor për veprën penale ”Vrasje nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë detaje sepse mund të dëmtojmë integritetin e hetimeve”, kanë deklaruar nga prokuroria në përgjigje./ Gazeta Express