Zijadin Isaku, zyrtar policor tha se ekzaminimi i laptopit të Luan Dalipit nga kompania “Management Development Association”, nuk kishte mundur të ndodhe në mungesë të pajisjeve, pasi që sipas tij, ishte përdorur një program i veçantë.
Një deklarim të tillë dëshmitari Isaku e bëri të premten, në gjykimin ndaj ish-zyrtarit të Ministrisë së Tregtisë (MTI), Xhemajl Syla, i cili po akuzohet se si udhëheqës i Divizionit për Mbështetje të Bizneseve dhe Zhvillimeve Regjionale në këtë ministri, ka keqpërdorur informacione zyrtare me qëllim të përfitimit të përparësisë për kompaninë “Management Development Association”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Deshmitari Isaku, tha se ka qenë hetues i rastit, ku ishte sekuestruar laptopi i Luan Dalipit, ku ishte dërguar për ekzaminim në Agjencinë e Forenzikës së Kosovës.
Sipas tij ekzaminimi i laptopit të Dalipit nuk kishte mundur të ndodhe për arsye teknike – mungesës së pajisjeve, pasi që ishte përdorimi i një programit të veçantë.
Andaj dëshmitari Isaku ka thënë se Dalipi në deklaratën e tij ka thënë se këto të dhëna vullnetarisht mund t’i hapë dhe t’iu dorëzojë.
Tutje seanca ka vazhduar me dëshminë e zyrtarit tjetër policor, Ardijan Krasniqi, i cili tha se mbetet prapa deklaratave të dhëna në seancën e datës 22 prill dhe 16 qershor të vitit 2022.
Ndër të tjera i njëjti tha se nuk kanë mundur të veprojnë në bazë të urdhëresës nga prokuroria dhe për këtë i kishin dhënë arsyet.
Kurse bazuar në kërkesën e dytë ai tha se kishin rol në asistencë teknike për bartjen e të dhënave – file PDF prej kompjuterit të Dalipit në CD.
Ndërkaq, lidhur me ndërhyrjet eventuale në këto file PDF para procesit të bartjes nga laptopi i Dalipit në CD, i njëjti tha se mund të shikohet nëse ka pasur modifikim vetëm nëse ekziston një file origjinal.
Seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit Ardian Krasniqi pasi që seanca e 22 prillit të këtij viti, ishte ndërprerë.
Duke marrë në konsideratë fundin e orarit, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi dëshminë e dëshmitarit Isaku e ka ndërprerë ndërsa seancën e ka shtyrë për një datë tjetër.
Ndryshe, me 21 korrik 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Xhemajl Sylës, ish-zyrtarit të MTI-së, duke e dënuar me 5 mijë euro gjobë dhe 2 vite burgim me kusht .
Kurse, me 23 janar 2023, PSRK kishte kërkuar nga Apeli dënim me burgim efektiv për të akuzuarin Syla, kurse mbrojtja kishte kërkuar lirimin e të njëjtit ose rigjykim.
Ndërsa, me 27 shkurt 2023, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Syla, avokatit Mahmut Halimi duke e kthyer lëndën në rigjykim dhe vendosje, me arsyetimin se Apeli ka gjetur se aktgjykimi i themelores është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës dhe se shkeljet e tilla janë të natyrës absolute që kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Xhemajl Syla akuzohej se më 5 dhjetor 2018, si person zyrtar, udhëheqës i Divizionit për mbështetje të bizneseve dhe zhvillimeve regjional në Ministrinë Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka keqpërdorur informatën zyrtare me qëllim të përfitimit e përparësisë për kompaninë “Menagment Development Association” (MDA) e cila ka ofertuar në tenderin, sipas projektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, në vlerë prej dy milionë euro.
Ai akuzohej se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare” nga neni 423, par. 2, lidhur me par. 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dymbëdhjetë vjet. Detajet nga aktakuza mund t’i gjeni: /BetimipërDrejtësi