Policia e Kosovës ka konfiskuar 27 motoçikleta dhe skuterë në Ferizaj, si pjesë e planit të veprimit “Motoçikleta 2024”.
Gjithashtu, policia ka shqiptuar 61 gjoba për kundërvajtje të ndryshme të shkaktuara nga motoçikletat.
Në një komunikatë për media nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, thuhet se gjatë patrullimeve dhe pikave të kontrollit, policia ka ndaluar disa drejtues motoçikletash dhe skuterësh që ishin në shkelje të rregullave të trafikut.
Motoçikletat dhe skuterët u konfiskuan pasi drejtuesit e tyre nuk kishin dokumentacion të rregullt.
“Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara në komunikacionin rrugor, me synim parandalimin e aksidenteve. Apelojmë tek drejtuesit e motoçikletave që të tregojnë kujdes në komunikacion, të respektojnë rregullat dhe të pajisen me dokumentacionin e nevojshëm,” theksohet në komunikatë.