Tifogrupi “Torcida” nuk janë lejuar të jenë të pranishëm si mysafirë në tribuna për derbin mes Vushtrrisë dhe Trepçës.
Sipas raportimeve të “Jepi Zë”, ata janë ndaluar nga Policia për të shkuar në Vushtrri, por megjithatë raportohet se të njëjtit janë nisur në këmbë nga Smrekonica.
Aktualisht, në stadiumin “Ferki Aliu” po zhvillohet derbi i zjarrtë i Raiffeisen Ligës së Parë ndërmjet Vushtrrisë dhe Trepçës, ndërsa nuk dihet nëse tifozët mysafirë kanë arritur të marrin pjesë në ndeshje.
Klankosova.tv ka tentuar të kontaktojë me Policinë e Kosovës dhe me tifogrupin “Torcida”, por asnjëra nga palët nuk ka dhënë përgjigje deri tani.
Të enjten, Klankosova.tv raportoi se rreth 300 tifozë të Trepçës, të njohur si “Torcida”, kishin planifikuar të udhëtonin drejt Vushtrrisë për të mbështetur skuadrën e tyre në këtë përballje të rëndësishme.
Ky udhëtim masiv është një dëshmi e rivalitetit të fortë sportiv dhe pasionit të jashtëzakonshëm që shoqëron çdo ndeshje mes dy skuadrave me traditë të theksuar në futbollin kosovar.






