Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për kryetar komune-balotazh, ka hartuar urdhrin operativ policor, ku janë bërë planifikimet e duhura policore lidhur me zgjedhjet (në aspektin e sigurisë), të cilat do të mbahen me 9 nëntor 2025, në Kosovë.
Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor gjatë
procesit të balotazhit, angazhimi dhe garantimi i sigurisë, transporti nën përcjellje dhe
siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.
Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me
KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, si dhe hartimin e një
udhëzuesi për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë
balotazhit.
Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ është:
krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së
Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë
dhe pas balotazhit.
sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove
komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore.
përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha
vendet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor,
që ndërlidhet me procesin e balotazhit.
inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe
ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me
ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj
zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me
Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të
bazuara në ligj.
Në zbatim të urdhrit operativ, me qëllim të koordinimit në mes të nivelit qendror dhe atij
rajonal të Policisë, sot më 7 nëntor 2025, është mbajtur takimi informues, këshillues e
koordinues me drejtorët e Drejtorive Rajonale Policore dhe menaxhmentin e lartë të
Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Në takim u diskutuan edhe pikat e veçanta që
parasheh urdhri operativ, me qëllim që të sqarohen detyrat dhe aktivitetet policore lidhur
me këtë aktivitet.
Policia e Kosovës njëkohësisht iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore
dhe qytetarëve që për çdo informacion, apo çështje që ndërlidhet me aspektin e sigurisë
të njoftojnë institucionet kompetente dhe Policinë e Kosovës, përmes linjës fikse dhe
mobile: 192 ose në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të
afërta policore, në mënyrë që të ndërmerren masat e menjëhershme ligjore.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të
saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit.






