Policia e Kosovës ka dhënë detaje për përleshjen e armatosur që ka ndodhur në fshatin Lupç të Podujevës, ku katër persona u plagosen, tre me armë e njëri me thikë.
Njëri prej të plagosurve është në rrezik për jetën ndërsa tre të tjerët kanë lëndime më të lehta.
Tentimvrasja ndodhi pasditen e së mërkurës mes disa familjarëve, ndërsa policia menjëherë doli në vendin e ngjarjes e më pas me urdhër të prokurorit u kryen edhe disa bastisje në shtëpitë e të dyshuarve.
Pesë persona janë arrestuar ndërsa hetimet e para tregojnë se gjithçka nisi pas një mosmarrëveshje të mëhershme.
“Janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që pas një mosmarrëveshje të mëhershme janë përplasur në mes veti, në rast është përdorur edhe armë zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore ku kanë gjetur dhe konfiskuar të kalibrit të vogël. Të dyshuarit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Me urdhër të prokurorit, janë bastisur shtëpitë e personave të dyshuar, në njërën prej tyre janë gjetur dhe konfiskuar disa copë fishekë të llojeve të ndryshme, po ashtu janë konfiskuar edhe dy vetura”, thuhet në njoftimin e ri të policisë.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, mirëpo tre prej tyre ende janë duke marr tretman mjekësor në QKUK dhe janë nën sigurim të policisë.