Dhjetëra persona u vranë në një sulm të armatosur sot në qytetin e Grazit në Austri.
Në mesin e viktimave, është edhe një 15 vjeçare me prejardhje nga Kosova.
Sipas informacioneve nga familja, bëhet fjalë për 15 vjeçaren Lea Bajrami, nga komuna e Vitisë.
Por, zyrtarisht kjo nuk u konfirmua nga Ministria e Jashtme e Kosovës.
Në njoftimin e MPJD-së thuhet jozyrtarisht se në mesin e viktimave mund të jetë edhe vajza e mitur.
Lidhur me rastin, mediat austriake kanë publikuar detaje të reja lidhur me ngjarjen.
Sipas mediave atje, policia ka gjetur një letër lamtumire në shtëpinë e sulmuesit 21-vjeçar, i cili vrau të paktën 10 persona në një shkollë në Graz dhe më pas vrau veten.
Hetuesit gjetën letrën e lamtumirës gjatë kontrollit të shtëpisë së vrasësit, e cila ndodhet në zonën e Grazit, por nuk kanë dashur të zbulojnë përmbajtjen e saktë të saj.
Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi se letra e autorit të masakrës është marrë nga policia, gjithashtu pa dhënë detaje mbi përmbajtjen.
Sipas gazetës Kronen Zeitung, policia e gjeti letrën menjëherë pasdite dhe thuhet se autori kishte shkruar në të se ndihej i bulizuar dhe maltretuar.
Ata gjithashtu shkruajnë se policia edhe sot e konsideron mundësinë që ngacmimi të ketë qenë motivi i sulmit.