Policia e Finlandës ka konfirmuar që në sulmin që ndodhi të martën në një shkollë kanë mbetur të lënduara rëndë dy vajza, një prej të cilave është shqiptare nga Kosova.
Siç thuhet në raportin e Policisë vajza nga Kosova është e shtruar në spital pasi ka marrë lëndime të rënda.
“I vrarë nga të shtënat në shkollë është një djalë. Dy personat e plagosur rëndë janë vajza, të dyja ende të shtruara në spital. Djali i ndjerë është shtetas finlandez dhe një nga viktimat e shtruara në spital është dyshtetësi i Finlandës dhe Kosovës. Viktima tjetër e shtruar në spital është gjithashtu një shtetas finlandez”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Përndryshe, të martën Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nëpërmjet Ambasadës së Kosovës në Stokholm kishte arritur ta konfirmojë këtë rast ku e lënduar ka mbetur një vajzë nga Kosova.
“Në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi sot në qytetin Vanta/Finlandë, respektivisht shkollën Viertola, ku u vra një person dhe dy të tjerë u plagosën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm ka arritur që të konfirmojë nga familjarët se në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova”, është thënë në njoftim.
Por, tashmë është zyrtare edhe nga autoritetet finlandeze që thonë se vajza nga Kosova është e lënduar rëndë. / Express