Policia ka njoftuar se janë angazhuar një numër i mjaftueshëm i zyrtarë policorë, por ka shtuar se nëse ka nevojë do të angazhohen edhe të tjerë.

Në njoftim thuhet se policët kanë filluar punën me orar 12 orësh, duke nisur nga ora 03:00.

“Ashtu siç është bërë e ditur, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor janë angazhuar një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës. Zyrtarët policor sipas planit operativ kanë filluar punën me orar 12 orësh, duke filluar nga ora 03:00, me hapjen e dhomave komanduese, përcjelljen e materialit senzitiv nga depot komunale në qendrat e votimit dhe vazhdimin e ofrimit të sigurisë.”

Policia ka njoftuar se ky plan operativ ka paraparë katër faza:

1) Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese,

2) Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore,

3) Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z),

4) Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

Aktualisht policia është duke e zbatuar fazën e tretë.

“Tanimë dy fazat e para veçse janë realizuar, përderisa tani jemi në zbatimin e fazës së tretë e që është faza kyçe (dita Z), për të vazhduar sipas planit me fazën e fundit, deri në përfundim të procesit zgjedhor.”

“Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor vazhdon të jetë:

 Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

 Sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore.

 Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

 Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.”

“Inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe  institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre. Raportoni, nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose 038 550 999, në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore.”