6.5 C
New York
Wednesday, December 10, 2025

Buy now

Policia e Kosovës përmbyll fushatën “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”

- Advertisement -

Policia e Kosovës, përmes Divizionit të Policimit në Bashkësi/Drejtorisë për Parandalimin dhe Hetimin e Dhunës në Familje, sot  përmbyll fushatën globale 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”, e cila u zhvillua nga data 25 nëntor deri më 10 dhjetor 2025, në të gjitha komunat e vendit.

Gjatë kësaj periudhe, në kuadër të projektit “Zëri që dikur heshti, sot dëgjohet” Policia e Kosovës ka realizuar një sërë aktivitetesh vetëdijësuese në nivel vendi, duke përfshirë shfaqjen e video-spoteve sensibilizuese, shpërndarjen e fletushkave dhe posterave informues, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për raportimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.

Përmes angazhimit të vazhdueshëm të njësiteve të Policimit në Bashkësi, janë zhvilluar takime informuese me qytetarë, nxënës, përfaqësues lokalë dhe institucione partnere, me fokus të veçantë parandalimin e dhunës me bazë gjinore.

Në shenjë solidariteti dhe përkushtimi  institucional, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës u ndriçua me dritë portokalli nga ora 17:00 deri në 24:00, si simbol i mbështetjes globale për fushatën kundër dhunës me bazë gjinore. Ky aktivitet përmbyllës realizohet me përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke reflektuar angazhimin e përbashkët institucional në luftimin e dhunës dhe mbështetjen e viktimave.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin, identifikimin dhe trajtimin profesional të të gjitha formave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, si dhe në forcimin e bashkëpunimit me komunitetin, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Policia e Kosovës thekson edhe një herë se lufta kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore nuk kufizohet në 16 ditë – ajo është përgjegjësi e përditshme dhe përkushtim i vazhdueshëm.

Inkurajojmë qytetarët që të raportojnë çdo rast dhune, duke telefonuar numrin 192, linjën e veçantë 0800 19999, ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.

Të ngjashme

Të fundit