Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të gjerë kundër një rrjeti të dyshuar kriminal, në kuadër të hetimeve për shpërthimin e ndodhur më 30 prill 2025 në parkingun e QKUK-së, ku ishte shënjestruar vetura e drejtorit të këtij institucioni.
Gjatë bastisjeve në Prishtinë dhe fshatin Rimanishtë, janë arrestuar 11 persona dhe janë sekuestruar armë zjarri, drogë, telefona dhe pajisje të tjera. Janë konfiskuar mbi 142 kg kanabis, armë të llojeve Sig Sauer dhe AK-47, si dhe pajisje për përpunimin e narkotikëve.
Një prej të dyshuarve, F.D., rezultoi me urdhër-arrest aktiv dhe është dërguar në vuajtje të dënimit. Nëntë persona janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj të tjerëve po zhvillohen hetime të veçanta.
Policia ka deklaruar se hetimet do të vazhdojnë në koordinim me prokurorinë për të ndriçuar plotësisht rastin.