Policia e Kosovës me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, që sonte ka filluar së zbatuari një plan operativ të quajtur “Goditja”, i cili kryesisht ka të bëjë me aktivitete e patrullime policore në qendrat urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri e bare nate.
Përmes një komunikate, PK ka njoftuar se do të jenë në bashkëpunim me organet e drejtësisë në koordinim të aktiviteteve dhe trajtimin e rasteve eventuale që mund të iniciohen gjatë zbatimit të këtij plani.
“Policia e Kosovës, me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, respektivisht ruajtjen e rendit e qetësisë publike, ka hartuar dhe që nga sonte ka filluar së zbatuari një plan operativ i cili do të shtrihet në tërë vendin.Detyrat që parashihen të realizohen gjatë zbatimit të planit operativ ‘Goditja’, janë shtimi i aktiviteteve/patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate, e më shumë qytetarë që vizitojnë ato. Policia do të ketë bashkëpunim me organet e drejtësisë në koordinim të aktiviteteve dhe trajtimin e rasteve eventuale që mund të iniciohen gjatë zbatimit të këtij plani”, thuhet në komunikatë.
Njëherit, kanë bërë të ditur se do të shtohen kontrollet policore ndaj personave e automjeteve me qëllim të gjetjes dhe konfiskimit të gjërave të ndaluara, e me theks të vecantë armëve dhe mjeteve tjera të rrezikshme për jetën.
“Policia, duke e pasur parasysh se suksesi i operacioneve policore, varet nga bashkëpunimi me qytetarët, fton të gjithë qytetarët që për çdo gjë të dyshimtë që vërejnë të lajmërojnë policinë sepse çdo informatë e dhënë me kohë, mund të parandalojë një akt kriminal ku mund të rrezikohet jeta dhe siguria publike. Policia mbetet e përkushtuar në kryerjen e detyrave me profesionalizëm dhe integritet me qëllim të arritjes së qëllimeve strategjike dhe ofrimit të një shërbimi sa më efikas për qytetarët dhe vendin”, thuhet më tej.