14.3 C
New York
Monday, October 13, 2025

Buy now

Policia deklarohet për zgjedhjet: Procesi kaloi i qetë dhe pa incidente serioze

- Advertisement -

Plani operacional i Policisë së Kosovës, i paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, i cili kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve u realizua me sukses në tërë Kosovën.

Kështu ka njoftuar policia me anë të një njoftimi për media, transmeton Klankosova.tv.

“Angazhimi dhe zbatimi i planit policor, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa incidente madhore që do të kishin penguar apo cenuar procesin zgjedhor, andaj vlerësuar në aspektin e sigurisë, procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze”.

“Siç është bërë e ditur përmes njoftimeve zyrtare, një ndër qëllimet e planit policor, ka qenë inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, që sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike”.

Policia e Kosovës njofton poashtu se në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, njofton se ka iniciuar dy raste “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, njëri në fshatin Bare – Mitrovicë Jugu dhe tjetri në Kllokot – DRP Gjilan, përderisa rastet mbi dyshimet për “fotografim të votës”,  me autorizim të prokurorëve kompetent kanë mbetur si ‘shënim zyrtar’ njëmbëdhjetë (11) raste/informata.

“ Lidhur me rastet personat e shoqëruar në stacione policore, pas intervistimit me autorizim të prokurorëve kompetent janë liruar në procedurë të rregullt”.

“Ndërsa sa i përket rastit të gjuajtjes me armë zjarri në Komoran, ku ishte dëmtuar një veturë dhe ishin shoqëruar për intervistim dy persona, vlen të potencohet se ky rast nuk ndërlidhet me procesin zgjedhor. PK-ja me autorizim të prokurorisë kompetente është duke kryer kontrolle si dhe duke vazhduar me hetime intensive për rastin, përderisa personat e shoqëruar pas intervistimit janë liruar”.

Poashtu, bëhet e ditur se janë trajtuar rreth dhjetë informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me procesin zgjedhor, për të cilat në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetent është vlerësuar se nuk ka pasur elemente apo dëshmi që ndërlidhen me vepra penale dhe janë evidentuar vetëm si informacion.

Policia e Kosovës, vlerëson se plani policor është realizuar me sukses, falë bashkëpunimit ndërinstitucional, punës dhe angazhimeve të zyrtarëve policorë si dhe kulturës së lartë të treguar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, andaj falënderon të gjitha institucionet, qytetarët dhe mediat për bashkëpunim e treguar më PK-në.

Të ngjashme

Të fundit