Një person është arrestuar pasi sulmoi zyrtarët policorë gjatë një ndërhyrjeje për të larguar një veturë të parkuar në mënyrë të parregullt.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:40, kur një zyrtar policor në detyrë te porta hyrëse e stacionit policor vuri re një automjet me targa të huaja të parkuar përpara portës. Shoferi i tij, i identifikuar si A.N., 35 vjeç, nuk iu bind urdhrave të policisë dhe përdori fjalë fyese dhe kanosëse ndaj tyre, duke shfaqur sjellje agresive.
Gjatë ndërhyrjes, i dyshuari iu vërsul zyrtarëve policorë, gjë që detyroi policinë të përdorte sprej mbrojtës dhe ta arrestonte atë. Si pasojë, tre zyrtarë policorë dhe i dyshuari pësuan lëndime të lehta
Rasti është duke u hetuar nga Njësia e Hetimeve Rajonale dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar procedura për “Sulm ndaj personit zyrtar”. Ai do të qëndrojë në mbajtje për 48 orë për hetime të mëtejshme.
Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek qytetarët që të respektojnë urdhrat e ligjshëm të zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrës, duke theksuar se bashkëpunimi me autoritetet kontribuon në ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.






