Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit nën autorizimin e Prokurorisë Speciale ka zhvilluar hetime ndaj gjashtë personave, nën dyshimin e bazuar se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale të “Mashtrimit”.
Personat në fjalë dyshohet se ndaj shtetasve të Kosovës në vazhdimësi nga viti 2015 deri në vitin 2019 kanë kryer mashtrime me avio-bileta, për çka edhe ndaj tyre janë ngritur kallëzime penale në prokuroritë përkatëse.
Sipas njoftimit zyrtar, Policia e Kosovës gjatë punës hetimore ka arritur të siguroj dëshmi se njëri nga të dyshuarit i cili ka qenë në aktivitete të kundërligjshme që lidhen me mashtrime në shitjen e avio-biletave, po ashtu dyshohet se ka qenë i përfshirë në pastrimin e parave përmes kompanive të kontrolluara prej tij.
“Kompanitë e përdorura për këtë skemë kanë rezultuar se janë në pronësi të të dyshuarit i cili është arrestuar”, thuhet në njoftim.
Vlera totale e parave që dyshohet se janë pastruar përmes kompanive tejkalon shumën prej 2 milionë euro po ashtu nga hetimet financiare rezulton se vetë i dyshuari po ashtu ka kryer deponime në para të gatshme mbi 800 mijë euro për të cilat nuk është dëshmuar prejardhja e tyre dhe të njëjtat nuk janë justifikuar me aktivitetin ekonomik të deklaruar.
Lidhur me rastin pas intervistimit të personit të dyshuar në prezencën e avokatit mbrojtës, ndaj të njëjtit prokurori ka lëshuar vendim për ndalim prej 48 orësh.






