Policia e Kosovës ka njoftuar se dje në kufi me Shqipërinë ka arrestuar një person, i cili po trafikonte mbi 33 kg marihuanë.
Në njoftimin për medie, policia ka treguar se i përfshirë në këtë trafikim ishte edhe një person, të cilin policia nuk ka mundur ta kap.
“Policia e Kosovës, respektivisht Sektori i Hetimeve nga Departamenti për Kufi gjatë realizimit të një plani operativ, më 22.02.2024, në bjeshkët e fshatit Vermicë ka vërejtur dy persona të dyshuar duke hyrë nga territori i Republikës së Shqipërisë në territorin e Republikës së Kosovës përmes rrugëve malore në mënyrë të paligjshme. Personat e lartcekur janë vërejtur se gjatë lëvizjes, në shpinë bartnin ngarkesa të dyshuara, ku pasi të njëjtit kishin hyrë në zonën e Republikës së Kosovës, nga zyrtarët policor janë urdhëruar që të ndalohen, mirëpo të njëjtit kanë lëshuar ngarkesat që bartnin dhe kanë filluar që të ikin, njëri nga ta është arritur të ndalohet nga ana e zyrtarëve policorë”, është thënë në komunikatën e Policisë.
Policia ka treguar se ndaj të arrestuarit kanë filluar procedurat.
“Ngarkesa e dyshuar ndodhej në dy çanta me 11 (njëmbëdhjetë) paketime në sasi prej 33.800 kg (tridhjetë e tre kg e tetëqind gram), substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori kompetent dhe rasti i kompletuar së bashku me substancën e dyshuar i dorëzohet Drejtorisë per Hetimin e Trafikimit me Narkotik Prizren për trajtim të mëtutjeshëm”, është thënë në njoftim.