Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në RTV21 kritikon ashpër qeverisjen e deritanishme dhe deklaratën e Konjufcës, duke e quajtur atë të papjekur dhe tallëse ndaj qytetarëve. Ai paralajmëroi se nëse ka një alternativë serioze nga forcat politike, duhet të ndërtohet një koalicion me platformë të qartë për të pasur një qeveri funksionale me kryeministër të ri.
Limaj duke komentuar një deklaratë të Glauk Konjufcës tha se ”Përgjegjësia dhe serioziteti kanë rënë në një nivel shumë të ulët”
“Këta janë duke folur si në bahçe të babës. Përgjegjësia dhe serioziteti kanë rënë në një nivel shumë të ulët në këtë klasë të politikës, është e tmerrshme. Përgjegjësia ndaj shtetit, vendi në krizë tash 9 muaj pa asnjë përpjekje duke e ditur se vet nuk mundesh. Shpresoj që qytetarët e Kosovës, shpresoj dhe besoj që përfundimisht do t’i marrin në përgjegjësi me votë, do t’i ndëshkojnë të gjithë, jo vetëm këta,” tha Limaj.
Limaj tha se për 9 muaj nuk ka pasur asnjë përpjekje për të nxjerrë vendin nga kriza dhe i bëri thirrje qytetarëve që të marrin në përgjegjësi partitë përmes votës.
”Tallje. I ftoj qytetarët të mos lejojnë këtë radhë të tallin vendin përmes shtetit. Për 9 muaj qytetarët kanë pasur rastin të shohin kush e ka seriozitet, kush ka pjekuri dhe përpjekje, dhe shqetësim për këtë shtet, dhe kush e ka vetëm një kalkulim për shtetin. Kjo është tallje dhe e thellon krizën. Keni qeverisur 5 vite; besoj që nëse ka një alternativë serioze nga forcat e tjera politike, nëse ka një kandidaturë serioze për kryeministër me një platformë të qartë, mund të ndërtohet një koalicion për të pasur një qeveri tjetër me kryeministër tjetër,” tha Limaj.






