8.5 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

Po shohim përzierje të politikës në Gjykatën Speciale, thotë historiania Iva Vukusiq

- Advertisement -
Për historianen nga Universiteti i Utrehtit në Holandë dhe njohësen e proceseve gjyqësore për krimet e kryera në ish-Jugosllavi, Iva Vukusiq, është e qartë se në punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në veçanti në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është përzier politika, sidomos në mënyrën se si flitet për krimet e pretenduara.

“Kjo është e pashmangshme, sepse luftërat bëhen për të arritur qëllimet politike dhe nuk mund ta shkëputësh plotësisht politikën nga ligji në raste të tilla”, thotë Vukusiç në një intervistë për Albanian Post.

Gjyqi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nisi të hënën e 3 prillit, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.
Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale në njërën anë dhe ekipet Mbrojtëse të secilit prej ish-krerëve të UÇK-së në anën tjetër, sipas Vukusiç, janë profesionistë e kompetentë në punën e tyre, prandaj ajo beson se në këtë çështje do të ketë një gjykim të drejtë.

Gjatë deklaratave hyrëse, Prokuroria argumentoi se të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet”.

Ndërsa, avokatët hodhën poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase.

Ndërkohë dëgjimi i dëshmitarëve në rastin e ish-krerëve ka filluar, në të shumtën e rasteve seancat ku të njëjtit – tre deri më tani – merreshin në pyetje nga Prokuroria e Mbrojtja ka qenë të mbyllura për publikun.

Prandaj në këtë drejtim sipas Vukusiç duhet të avokohet më shumë që seancat të jenë të hapura e transparent në mënyrë që publiku të gjykojë vetë provat e prezantuara nga Prokuroria.

Intervista e plotë e Iva Vukusiq për Albanian Post:

Gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nisi të hënën e 3 prillit, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës, çfarë do të thotë sipas jush ky vonim i nisjes së gjyqit ndaj tyre?

Iva Vukusiq: Është e vështirë të spekulosh, ndaj nuk do ta bëj këtë. Ajo që do të them është se këto lloj gjykimesh, ku prokuroria pretendon abuzime të rënda dhe sistematike, si krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, janë komplekse dhe kërkojnë shumë hetime dhe përgatitje. Nëse dikush analizon gjyqe të tjera, qoftë ato në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) ose në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ose në Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës në Sarajevë ku kam punuar dikur – procedurat janë të ngadalta. Prandaj, nuk mendoj se ka ndonjë gjë veçanërisht të pazakontë në lidhje me ritmin e këtij gjyqi.

Një gjë që ka qenë e dukshme si çështje është siguria e dëshmitarëve dhe mënyra e se si po mbrohen ato, dhe kjo ka qenë gjithashtu një sfidë në ICTY, kështu që dyshoj se ato sfida mbeten dhe se ato po e bëjnë edhe më të vështirë procedurën.

 Prokuroria e Gjykatës Speciale po provon të dëshmojë se UÇK-ja, më konkretisht shtabi i saj i përgjithshëm, ishin një ndërmarrje e përbashkët kriminale me qëllime të qarta kriminale dhe për eliminimin e kundërshtarëve politik. Siç ka tërhequr vërejtjen një nga avokatët e mbrojtës, nëse UÇK-ja shpallet ndërmarrje e përbashkët kriminale a nënkupton kjo se NATO ndërhyri për t’i ndihmuar një ndërmarrje të tillë?

Iva Vukusiq: Ky është një interpretim i qartë politik i asaj që po shohim dhe unë nuk pajtohem. Politika është e përzier në mënyrë të pashmangshme si në procesin e pavarësisë, në luftën, në sigurimin e kontrollit mbi territorin dhe politika është diçka që ne e shohim në gjykatë – në mënyrën se si flitet për krimet. Kjo është e pashmangshme, sepse luftërat bëhen për të arritur qëllimet politike dhe nuk mund ta shkëputësh plotësisht politikën nga ligji në raste të tilla. Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se gjyqet në thelb janë të padrejta ose të politizuara. Në fakt, gjyqtarët janë profesionistë dhe të pandehurit përfaqësohen nga avokatë mbrojtës kompetentë dhe me përvojë, të cilët dinë të bëjnë punën e tyre. Ka një sërë avokatësh të shkëlqyer që mbrojnë këtë çështje, ndaj jam i bindur që të pandehurit janë të përfaqësuar mirë dhe do të kenë një gjykim të drejtë.

Nëse gjyqtarët vendosin se personat e paditur janë fajtorë përmes procedurave të drejta, kjo do të thotë se këta individë kanë bërë diçka të paligjshme në kontekstin e asaj lufte. Kjo nuk do të thotë se çdo pjesëtar i UÇK-së është disi kriminel ose se gjithçka në atë luftë të armatosur ishte e paligjshme. E di që ky është një argument i zakonshëm, por është thjesht i pavërtetë.

Ne dëgjuam të njëjtat argumente, për shembull, në rastin e gjeneralit Gotovina nga Kroacia, që u ndoq penalisht në ICTY vite më parë. Ai u kornizua gjithashtu si një sulm ndaj Kroacisë, ndaj luftës kroate për pavarësi në përgjithësi, dhe ndaj çdo veterani të luftës kroate. Unë thjesht nuk e ndaj këtë pikëpamje.

 Si e keni parë faktin se Gjykata Speciale është themeluar për akuzat për trafikim të organeve, kurse tani nuk gjendet askund kjo akuzë?

Iva Vukusiq: Epo, nuk është krijuar vetëm për trafik organesh, jo. Trafikimi i organeve ishte një nga pretendimet që u shfaq në ditët e para të hetimit dhe që atëherë është bërë e qartë se provat nuk e mbështesin këtë pretendim. Ato hetime të hershme nuk ishin as aq të thella dhe as aq të detajuara sa hetimet që erdhën në vitet në vijim, me Prokurorinë Speciale.

Në mënyrë që prokurorët seriozë të sjellin një çështje para gjyqtarëve, ata duhet të jenë të sigurt se mund të provojnë një krim. Nëse ata nuk janë të sigurt për këtë, ata nuk do të merren me atë çështje. Pra, nëse nuk e shohim këtë në aktakuza, kjo do të thotë se 1. ose prokurorët nuk mund ta dëshmojnë atë ose, 2. nuk ka ndodhur kurrë (dhe hetuesit e hershëm janë mashtruar disi, ose kanë bërë gabime).

Nuk e di nëse ka ndodhur ndonjëherë ky trafik organesh, por nëse ka ndodhur, është e qartë se prokurorët nuk mendojnë se mund ta provojnë. Sido që të jetë, nuk bëhet fjalë për këtë çështje dhe prokurorët e kanë bërë të qartë se ka krime të tjera që synojnë të provojnë, ndaj duhet të presim dhe të shohim provat, dhe të vendosim cilësinë e këtyre provave për të cilën gjyqtarët do të vendosin përfundimisht.

Media si Guardian e New York Times kanë shkruar se kjo Gjykatë po e rishkruan historinë, a pajtoheni me këtë konstatim?

Iva Vukusiq: Mendoj se ky është një mbithjeshtëzim i madh i asaj që po ndodh dhe këto lloj akuzash janë diçka që ne shohim në çdo gjykatë të vetme, dhe në çdo rast të vetëm në një masë më të madhe ose më të vogël. Përsëri, rastet që lidhen me Kroacinë dhe diskutimet për rolin e gjeneralëve kroatë për shembull, janë një rast i mirë krahasimi. Edhe atëherë dëgjuam të njëjtat argumente.

Si historiane, dua të bëj të qartë se historia është, sipas definicionit, një çështje mosmarrëveshjeje, diskutimi, analize provash dhe burimesh. Nuk ekziston asnjë histori e vetme që nuk mund të kundërshtohet apo kontestohet. Historia nuk është një dogmë që ne të gjithë e besojmë pavarësisht se çfarë, dhe ka vetëm një version të saj. Njerëzit e arsyeshëm nuk pajtohen rreth aspekteve të shpjegimeve se si kanë ndodhur gjërat gjatë gjithë kohës. Mosmarrëveshja është një pjesë normale e diskursit demokratik.

Vetëm kur njerëzit shpërfillin provat e dukshme me keqbesim ose motivohen qartësisht nga politika, atëherë mund të flasim për njëfarë mohimi të historisë. Një shembull është kur disa njerëz, në margjinat e debateve, thonë se Holokausti nuk ndodhi. Kjo është një gënjeshtër, Holokausti është jashtëzakonisht i dokumentuar dhe këta njerëz e bëjnë atë për të propaganduar politikë të urrejtjes. Ne e dimë këtë, kështu që nuk i marrim seriozisht. Por, nuk janë këto situata për të cilat po flas – po flas për njerëz të informuar, që veprojnë me mirëbesim dhe besojnë provat autentike, nuk pajtohen rreth aspekteve se si ndodhën gjërat, dhe historianët e bëjnë këtë gjatë gjithë kohës. Përsëri, kjo është një pjesë normale e diskursit demokratik.

Historia kontestohet vazhdimisht dhe nëse interpretimet janë të vërteta dhe mbështeten me prova të besueshme, atëherë ato i rezistojnë shqyrtimit. Pra, jo, nuk mendoj se ky rast është “rishkrim i historisë” dhe nuk mendoj se ka një histori për t’u rishkruar. Kjo është shumë e thjeshtë. Sido që të jetë, ky rast do të prezantojë në publik prova të reja, që do të sjellin si nga prokuroria ashtu edhe nga mbrojtja, të cilat do të na mundësojnë të nxjerrim përfundime me më shumë informata për atë që ka ndodhur. Në këtë kuptim, ne të gjithë duhet ta mirëpresim këtë gjyq dhe të avokojmë që ai të jetë i hapur dhe transparent në mënyrë që të gjykojmë vetë provat që shohim.

A mund të na sqaroni se çka saktësisht nënkupton termi “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”?

Iva Vukusiq: Unë jam historiane dhe jo avokate, kështu që kjo pyetje nuk është për mua, por për ta thjeshtuar, “Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale” vjen nga praktika juridike e ICTY. Në shumë mënyra, ka të bëjë me mënyrën se si kryhet një krim. Elementi kryesor është se ekziston një grup personash dhe se ekziston një komplot dhe një qëllim i përbashkët për të arritur një qëllim. Pra, këta persona bëhen bashkë për të arritur një qëllim dhe këtë e bëjnë me mjete të paligjshme. Në këtë rast, kjo do të thoshte se personat e akuzuar gjoja kishin një plan të përbashkët për të marrë kontrollin mbi Kosovën dhe i larguan ata që dyshonin se ishin kundërshtarë të tyre në këtë plan. Mënyra se si ata e bënë këtë, pretendon prokuroria, ishte përmes akteve të paligjshme si rrëmbimi, arrestimet arbitrare, rrahjet, torturat dhe vrasja e mbi 100 personave, shumë prej të cilëve shqiptarë të Kosovës.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit