Arianit Sllamniku, organizator i protestave kundër vaksinimit Anti-COVID dhe mjeku në Suedi Rushit Arifi janë përplasur në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin sa i përket vaksinimit kundër këtij virusi e masave mbrojtëse të marra në Suedi, raporton Gazeta Express.
Sllamniku i cili kundërshton vaksinimin e qytetarëve, ka thënë se në Suedi qytetarët nuk vaksinohen kundër COVID-19, por marrin mikroçipin me të cilin mund të hyjnë në restorante dhe vende të ndryshme.
Ndërsa, Sllamnikun e ka kundërshtuar Rushitin i cili ka thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.
Sllamniku me këtë rast i është kundërpërgjigjur duke thënë se Rushiti nuk është përfaqësues i Suedisë.
“Nuk ki nevojë me u vaksinu për Suedi vetëm keni nevojë me e marrë nëj mikroçipimë tash kanë fillu me 2022 dhe jeni të lirë. Edhe të vaksinuarit duhen me e kry procedurën e PCR”, ka deklaruar ai.
Por, Rushiti ia ka kthyer se Sllamniku është edhe më pak përfaqësues i këtij shteti.
“Është fakt që po thotë se nuk jam përfaqësues i Suedisë por ti je më pak se unë. Kështu që më kredibil jam me fol unë për Suedinë se ti. Në Suedi ka pas masa, ka pas restrikcione, por restrikcionet që i ka vendos Instituti i Shëndetësisë Publike të Suedisë kanë qenë të bazuara në shkencë dhe nuk i kanë marrë politikanët por ekspertët e fushës”, ka shtuar ai.
Ndërsa, derisa Sllamniku ka deklaruar se suedezët nuk po vaksinohen dhe se po marrin mikroçipa, Rushiti i është kundërpërgjigjur duke i thënë se “A po jam seriozisht se jam tu dezinformu kur po them se në Suedi ka pasur instruksione”.
Ndërsa, Sllamniku i ka replikuar duke i thënë se “Kjo tregon që 30 vjet me jetu në Suedi në një shtet të kulturuar me e lënë dikë me u shpreh”.
Sllamniku është shprehur kundër vaksinimit kundër COVID-19, derisa ka thënë se qytetarët nuk kanë nevojë ta marrin vaksinën.