Shkruan: Ardian Bajraktari
Draft-strategjia për Drejtësinë Tranzicionale, e cila aktualisht ndodhët në fazën e konsultimeve publike, në kuadër të Objektivit strategjik 4 (Eliminimi i mundësive për përsëritjen e shkeljeve masive të të drejtave të njeriut nëpërmjet reformimit institucional), ndër aktivitetet parasheh edhe “Vlerësimi dhe verifikimi i zyrtarëve të institucioneve publike duke përfshirë policinë, institucionet arsimore, administratën publike dhe institucionet e drejtësisë”, përfundimi i të cilit aktivitet sipas planit të veprimit parashihet të bëhet në tremujorin e dytë të vitit 2025.
Ky aktivitet do të thotë lustracion (vlerësim i pastërtisë së figurës së zyrtarëve publikë), lajm i mirë padyshim.
Vlerësimi i pastërtisë së figurës së zyrtarëve publikë, apo lustracioni, pavarësisht se si emërtohet, në fakt ka për qellim vlerësimin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve publikë, është edhe i nevojshëm edhe i domosdoshëm.
Është e nevojshme të dihet se të gjitha vendet e ish sistemit komunist, tashmë në një formë apo tjetër e kanë kaluar këtë proces, andaj kështu do të duhej të vepronim edhe ne, madje shumë më herët.
Ky aktivitet është i domosdoshëm se ka zyrtarë nëpër institucione të rëndësishme shtetërore të cilët kanë qenë pjesë e sistemit të regjimit të kaluar, të cilët kanë kontribuar për fuqizimin e diktaturës dhe terrorit, qoftë deri në vitet e ‘90-ta, qoftë edhe pas viteve të ‘90-ta. Këto figura dhe e kaluara e tyre në shërbim të okupatorit duhet vlerësuar, e vërteta duhet të zbardhet dhe nga ajo nuk duhet të ketë frikë askush.
Ky proces duhet të bëhet përveç se me vullnet politik, edhe me konsensus institucional, e mbase edhe shoqëror për të mos devijuar në hakmarrje.
Procesit të lustracionit të mirëfilltë, duhet t’i paraprijë rregullimi i bazës ligjore, përkatësisht hartimi dhe miratimi i ligjit, përmes një procesi të gjerë konsultimesh, dhe sa më gjithëpërfshirës.
Të vendosen procedura të qarta të vlerësimit të së kaluarës së figurave publike, si dhe mekanizma me integritet, profesional e të pavarur, vetëm kështu mund të sigurohet një proces i drejtë si dhe do të shmanget çfarëdo tendence e devijimit nga qëllimi i mirë që ka ky proces.