36.6 C
New York
Wednesday, June 25, 2025

Buy now

“Po iu fryn fllad a”, pyetja e Krasniqit për mos hapjen e Urës së Ibrit nxit polemikë mes tij e Armend Mujës së VV’së

- Advertisement -

 

Planet e qeverisë në detyrë që drejtohet nga deputeti Albin Kurti për të ndërtuar dy ura të reja mbi lumin Ibër, paralel me Urën e vjetër të Ibrit kanë nxitur debat kohëve të fundit, shkruan Gazeta Express.

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, të martën ka publikuar një fotografi nga Ura e Ibrit duke thënë se po përmendin ndërtim të urave të reja, meqë kanë frikë ta hapin Urën kryesore të Ibrit.

“Mashtruesit patologjikë nuk guxojnë as me e përmend më hapjen e urës së Ibrit. Ndërsa tash flasin për demek dy ura të reja mbi Ibër. (Hapeni urën ekzistuese si fillim, mbasi edhe e keni testuar. Pse nuk po e hapni?! Po fryn fllad aty, a? E pra, mos gënjeni për gjoja ura të reja.) Valla bre kësi pis-politike, nuk ka ba vaki”, ka shkruar Krasniqi.

Për këtë qëndrim të profesorit Krasniqi ka reaguar deputeti i VV-së nga rajoni i Mitrovicës, Armend Muja. Sipas tij, Ura kryesore mbi Ibër do të hapet dhe sipas tij, ajo çfarë po kërkon profesori Milazim Krasniqi është “që Policia e Kosovës të hyjë në ballafaqim me Karabinierët e Italisë” që kjo t’i faturohet Qeverisë Kurti.

“Ura kryesore mbi Ibër do të hapet, pa dyshim. Edhe dy ura tjera mbi Ibër do të ndërtohen, pa dyshim. Ajo çfarë Milazim Krasniqi don është që Policia e Kosovës të hyjë në ballafaqim me Karabinierët e Italisë dhe kjo përleshje t’i faturohet qeverisë Kurti! E merreni me mend sa djallëzor! Para së gjithash Milazimi duhet të përgjigjet: Pse nuk ju thoshte Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit ta hapin urën?”, ka shkruar Muja si përgjigje.

Profesori Krasniqi i është kundërprgjigjur Mujës, duke i thënë se Ura e Ibrit do të hapet një ditë, por vetëm me koordinim me NATO-n, BE-në, SHBA-në dhe komunitetin serb, por jo pa koordinim.

“E vetmja mënyrë për të shmangur konfliktin është kjo rrugë, jo rruga që proklamoi LVV-Qeveria para do kohësh, për hapjen e urës pa koordinim. Hapja e urës pa koordinim do të sillte jo vetëm konfliktin me karabinierët italianë, po edhe me KFOR-in dhe me banorët serbë në pjesën veriore të qytetit”, ka shkruar Krasniqi.

Profesori universitar në përgjigjen e tij, ka thënë se i vjen mirë që deputeti Muja e ka kuptuar rrezikun për të cilin ka alarmuar qysh moti.

” Më vjen mirë që Armend Muja, e paska kuptuar rrezikun, për të cilin unë kam alarmuar që atëherë. Por, tash që paska reflektuar e po kërkuaka koordinim, Armendi ka rrezik të mos jetë kandidat i LVV për kryetar të komunës. Keq.”, ka shkruar Krasniqi./GazetaExpress/

 

 

Alarmi për përdorimin e monopatinave elektrike në Shqipëri, mbi 900 të aksidentuar në dy vjet

Të ngjashme

Të fundit