Në fakt, muaj më parë Nacionale kishte përgatitur një tekst me 50 qëndrimet më interesante të shkelura nga Kurti, të cilat përfshinin një gamë të gjerë politikash, nga dialogu te organizimi sindikal e demarkacioni.
Kurti tashmë e ka pranuar edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në intervistën e fundit për gazetën e njohur kroate Veçernji list, Kurti e pranoi edhe një herë tjetër që Asociacioni është një nga marrëveshjet të cilat duhet të respektohen.
“Neni 7 flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, i cili lidhet me nenin 10, i cili thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, të cilat janë të vlefshme dhe detyruese, duhet të zbatohen plotësisht. Kemi 39 marrëveshje të tilla. Dy prej tyre i referohen asociacionit të komunave me shumicë serbe nga viti 2013 dhe 2015.” – tha ai fillimisht.
Por Asociacioni (dhe vetëmenaxhimi), sipas Kurtit, duhet të jenë brenda Kushtetutës së Kosovës. Madje, për herë të parë, Kurti e përmendi me emër edhe Mustafën. Më saktë, letrën e Mogherinit që ia dërgoi Mustafës, që në fakt është një mirënjohje publike nga Kurti për ish-kryeministrin nga radhët e LDK-së.
“Unë kam thënë siç e shoh, jam gati për atë që komuniteti serb në Kosovë të organizohet më mirë për të marrë sa më shumë shërbime publike cilësore dhe që të respektohen të gjitha të drejtat e tyre, të cilat janë mjaft të gjera sipas planit të Ahtisarit, por e gjithë kjo duhet të jetë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese të saj dhe gjithashtu në përputhje me letrën e Federica Mogherinit, e cila i ishte dërguar ish-kryeministrit të Kosovës, Mustafa, në të cilën shkruan se ai asociacion nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv apo të përfaqësojë nivelin e tretë të qeverisjes.” – tha Kurti.
Në fakt, letra e Mogherinit është publike që disa vite, por vetëm tani Kurti e ka njohur meritën dhe vlerën e kësaj letre, të cilën deputetja Fitore Pacolli kishte deklaruar se nuk dinin se ekzisonte. Vlerën e kësaj letre, kohë më parë ia ka njohur edhe Glauk Konjufca, nënkryetar i VV-së e kryetar i Kuvendit, i cili i kishte thënë “bravo” Mustafës për letrën.
Përveç Asociacionit e letrës së Mogherinit, Kurti në pushtet ka ndryshuar edhe qëndrimin për bashkimin kombëtar. Për dallim nga PO-së për Asociacionin, Kurti e ka vendosur në pauzë çështjen e bashkimit kombëtar me Shqipërinë. Në fakt, është më shumë një jo e vogël, një jo e nënkuptuar, e heshtur. Sa ishte në opozitë, Kurti ishte goxha i vetëvendosur për bashkimin kombëtar me Shqipërinë, ndërsa në pushtet ai vlerësonte se bashkimin nuk ua lejon Kushtetuta, raporton Nacionale.
“Fatkeqësisht kushtetua e Kosovës e ka një kundërthënie, neni 1.1 thotë se Kosova është shtet I pavarur, ndërsa, neni 1.3 na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër. Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë Kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur, por njëkohësisht paraqet pengesë për integrime siç është ai Evropian. Në Kosovë nuk kemi ligj për referendum dhe nuk e ndryshojmë Kushtetutën, por pa dyshim se kjo është intenca historike dhe dëshira e shqiptarëve.” – theksonte ai nga Lezha e Shqipërisë.