Shkruan: Lulzim Nika
Vitet 1960-70, shënojnë kulmin e luftës së dy superfuqive për të treguar fuqinë ushtarake dhe shtrirjen e ndikimit të tyre ne gjithë globin (siç ishte rasti i Kubës dhe pushtimi i Çekosllovakisë nga ana e BRSS-së).
SHBA-ja në mënyrë të veçantë vëzhgonte zhvillimet politike në Jugosllavi, duke u angazhuar në pengimin e rrymave pro BRSS-së. Aleksander Rankoviqi, personaliteti i dytë më i fuqishëm në partinë Komuniste të Jugosllavisë, pas Titos, i cili nga shumë kush konsiderohej edhe si pasardhës i Titos që Jugosllavinë do ta anëtarësonte në paktit e Varshavës.
Në korrik të vitit 1966, me Vendimet e marra nga Josip Broz Tito në Plenumin e Brioneve, Rankoviqi shkarkohet nga postet e tij udhëheqëse në Federatën Jugosllave, ngase Tito në vazhdimësi, rrezikun e shihte nga Serbia e Madhe me përkrahjen e BRSS–së.
Me të kaluarën hegjemoniste të Serbisë dhe pozicionimi i Rankoviqit në strukturat më të larta dhe më të rëndësishme në udhëheqësin e Federatës Jugosllave, diktatori Tito ishte i rrezikuar nga ai, i cili me ndihmën e rusëve do të vihej në krye të Federatës Jugosllave.
Rankoviqi njihej për brutalitetin e pa parë ndaj popullit shqiptar, në veçanti ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke sajuar edhe aksionin e grumbullimit të armëve vetëm e vetëm për të ushtruar dhunë dhe presion ndaj shqiptarëve për t’i lëshuar trojet e tyre stërgjyshore dhe për t’ia mësyrë Turqisë.
Ky qëndrim fashist dhe shkatërrues ndaj shqiptarëve ka qenë i shprehur në të gjitha segmentet e jetës: ekonomi, shëndetësi, arsim, punësim etj., duke i përdorur të gjithë mekanizmat shtetërorë për të shkatërruar ekonomikisht, politikisht dhe kombtarisht shqiptarët.
Këtë fakt e pohon edhe vetë kreu i asaj kohe, diktatori J. B. Tito, i cili, duke folur në Kongresin IX-të të LKJ, ndër të tjera, kishte theksuar edhe këtë: “Jugosllavia e Re ka ndërmarrë masa të rëndësishme për të mënjanuar gjendjen e vështirë në Kosovë…”
Aktiviteti që u zhvillua në Kosovë lidhur me Plenumin e Brioneve, krijoi një atmosferë, me kërkesën që statusi i Kosovës të avancohet në Republikë, një kërkesë shumë e drejtë si populli i tretë më i madh në Jugosllavi, e cila ide u përkrah edhe nga inteligjenca shqiptare e Kosovës. I pyetur për vite që po i trajtojmë, Ukshin Hoti kishte deklaruar: ”Ç’është e vërteta qysh pas viteve 1968 edhe udhëheqja politike e Kosovës ka qenë e bindur që edhe Kosova duhet të jetë Republikë në Federatën Jugosllave, mirëpo, ajo nuk kishte as forcë dhe nuk ishte as e aftë për ta bërë një gjë të tillë… dhe këtë akt madhor e lanë në duart e të tjerëve që të angazhohen për ta kërkuar Republikën e Kosovës”.
Këto dokumente të shërbimit inteligjent amerikan dëshmojnë për dhunën dhe brutalitetin e ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera të banuara me shqiptarë, nga ana e shtetit jugosllave. Po ashtu, dokumentet e shërbimit inteligjent amerikan, tregonin edhe interesimin e shtetit amerikan për reformën kushtetuese të viteve ‘70 e në veçanti për ngritjen e statusit të autonomisë së Kosovës.
Kjo dëshmon së SHBA-ja ndikoi drejtpërdrejtë në politiken Jugosllave, për pengimin e ardhjes në pushtet të rrymave radikale që ndihmoheshin nga BRSS-ja. Njëra nga përpjekjet e pengimit të forcimit të rrymave radikale dhe anëtarësimin e Jugosllavisë në Paktin Ushtarak të Varshavës është edhe formimi i Lëvizjes së Mosinkuadrimit, me përkrahjen e amerikanëve ku njëri nga ideoret e kësaj lëvizje ishte edhe vetë diktatori Tito.
Dr. sc. Lulzim Nika