Pesë objektiva specifike që do të jenë prioritet për prokurorët janë vendosur në një plan të punës për vitin 2025, nga Zyra e Prokurorit të Shtetit. Ndër to janë edhe rritja e efikasitetit në luftimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar krimeve të luftës e kundër dhunës me bazë gjinore. Në prioritetet e prokurorive do të jetë edhe rritja e efikasitetit për konfiskimet e pasurive që fitohen përmes veprave penale. Por, IKD kritikon sistemin prokurorial se prioritete e tilla po mbesin vetëm në letër.
Rritja e efikasitetit në luftimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, është prioriteti kryesor, që Prokurori i Shtetit ka renditur në planin e punës për vitin 2025.
Përveç këtyre veprave, gjatë këtij viti parashihet prokurorët duhet të kenë vëmendje të veçantë edhe në trajtimin e rasteve të krimit të organizuar, veprave penale kundër rendit kushtetues, krimeve të luftës, e dhunës në baza gjinore.
Në mesin e disa prioriteteve prokurori i shtetit ka vendosur edhe ngritjen e nivelit të sekuestrimit në funksion të konfiskimit përfundimtar dhe rikthimit të aseteve, për çka prokurorët u kritikuan në mbledhjen e Këshillit Prokurorial, se nuk janë duke bërë kërkesa për shitjen e aseteve që konfiskohen.
“Mbikëqyrjes së vazhdueshme të rasteve me sekuestrim të përkohshëm; Ngritjes së numrit të ekspertizave për hetimin financiar në rastet kur është e nevojshme; Rritjes së efikasitetit në zbatimin e ligjit për kompetencat e zgjeruara dhe Angazhimit të koordinatorit Nacional dhe koordinatorëve të prokurorive për sekuestrim dhe konfiskim; Bashkërendimin e veprimeve të Zyrës për Rikthimin e Aseteve me akterët e përfshirë në zyrë…” – Plani i punës së Prokurorit të Shtetit për vitin 2025
Por, sipas drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, këto nisma Këshillit Prokurorial po i mbesin vetëm ne letër e vështirë të zbatueshme në praktikë.
“E para nuk ka vullnet dmth anëtarët e Këshillit, nëse e shohim monitorimin e punës të Këshillit Prokurorial të Kosovës, më të zëshmit janë në rastet kur kanë të bëjnë me emërimin e anëtarëve të KPK-së, të prokurorëve, çështje që lidhen me financat e tyre personalisht, për rroga ose për mëditje por kur vijnë tek këto politikat e mëdha, i kalojnë në heshtje, nuk kanë interes..”, ka thënë Ehat Miftaraj – Drejtor i IKD-së.
Miftaraj thotë se sistemi prokurorial ka dështuar vazhdimisht në rastet e konfiskimit të pasurisë, të cilat fitohen përmes veprës penale të korrupsionit.
“Sistemi prokurorial prej vitit 2013, kur e ka themeluar zyrën kombëtare kundër krimit ekonomik ku hyjnë përpjekjet për sekuestrim, konfiskim, të pasurisë së fituar me vepër penale nuk është që po shohim sukses apo ndonjë ndryshim përmes të cilit shteti i konfiskon gjithë atë pasuri që fitohet përmes veprës penale me theks të veçantë të veprës penale të korrupsionit…”, ka thënë Ehat Miftaraj – Drejtor i IKD-së.
Këtë vit zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, gjithashtu parasheh që të bëjë strukturimin e ri të Zyrës për mbrojtjen e viktimave, pa dhënë detaje se si do të bëhet kjo.
Një tjetër pikë që është përmendur në kuadër të llogaridhënies e performancës, është edhe monitorimi i performancës së prokurorëve gjatë paraqitjes në seanca gjyqësore nga ana e kryeprokurorëve./Dukagjini.