34.1 C
New York
Saturday, July 26, 2025

Buy now

Plane për “Presidencë luksoze”, reagon Osmani: Në zyrat aktuale mysafirët përballen me erën e kanalizimit, kam kërkuar hapësira pune

- Advertisement -

Pas raportimit se Zyra e Presidencës ka nisur procedurat tenderuese për ndërtimin e objektit presidencial, ashtu që të zhvendoset nga objekti i Kuvendit në lagjen “Prishtina e Re”, ka reaguar Presidenca.

Presidenca i ka cilësuar të pavërteta pretendimet se Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar ndërtimin e një rezidence personale me luks, dhoma apo oborr privat.

Në reagimin zyrtar thuhet se Presidentja asnjëherë nuk ka kërkuar ndërtim rezidence personale, ndërsa plani ideor i shpallur për ndërtimin e një objekti të ri për Presidencën nuk ka marrë aprovimin e saj. Për më tepër, Osmani ka kërkuar që ai plan të revidohet në përputhje me nevojat reale të shtetit, jo të individit.

Sipas Presidencës, kërkesa e vetme e Presidentes është ndërtimi i një ndërtesë zyrtare për zhvillimin e takimeve dhe pritjeve shtetërore, pasi Kosova është i vetmi vend në Evropë — në mos edhe në botë — ku Kreu i Shtetit nuk ka një objekt të dedikuar për funksionet zyrtare.

“Pritjet mbahen në salla të Kuvendit, liderët e huaj përballen me erën e kanalizimeve, dhe darkat shtetërore zhvillohen në restorante private — një turp për çdo shtet serioz,” thuhet në reagim.

Zyra e Presidentes nënvizon se edhe nëse ndërtesa do të fillojë të ndërtohet tani, ajo nuk do të përfundojë brenda mandatit të Osmanit, çka përjashton çdo pretendim për përfitim personal. Presidentja nuk ka kërkuar suita private, por hapësira pune dhe pritjeje zyrtare për homologët ndërkombëtarë, siç është standardi global.

Në fund, Presidenca e konsideron këtë objekt jo si luks personal, por si një domosdoshmëri shtetërore për të garantuar funksionim normal të institucionit më të lartë të vendit.

Të ngjashme

Të fundit