21.5 C
New York
Saturday, May 3, 2025

Buy now

Plaka rrëfen masakrën në Studime: Ne në traktor, serbi tha qitni paret se krejtve kemi me ju mbyt!

- Advertisement -

Me zemër të thyer, por me kujtesë të fortë, Feride Muli rrëfen për Ekonomia Online përjetimet e saj nga masakra e 2 majit 1999 në fshatin Studime të Epërme, ku forcat serbe masakruan 116 civilë shqiptarë.

Ajo humbi burrin e saj Hazirin dhe kunatin Asllanin në atë ditë tmerri, që sot, edhe pas 26 vjetësh, i duket sikur të kishte ndodhur dje.

Djali i saj arriti të shpëtojë, por bashkëshorti Haziri dhe kunati Asllani u ndalën dhe u vranë nga forcat serbe.

“Ne kemi qenë në Studime të Epërme. Thanë po vijnë serbët. Ne u nisëm. Na thanë me u ndal se deri në orën 08:00 të mëngjesit është ora policore. Serbët u dëgjojshin duke ardhë. U nisëm me traktorë, kemi qenë 500-600 traktorë. Jemi nisur, na ka zënë terri. Kur kemi mbërrit te një kthesë, aty kur kemi mbërrit kanë hy serbët duke na sharë. Djali shpëtoi, burri edhe kunati të dy në traktor kanë qenë, i kanë zbrit dhe dy i kishin vra. Ne në traktor, erdhi e futi kryet një serb në traktor, tha qitni paret se krejtve kemi me ju mbyt. Ju dhashë 200 euro, se e dija që ma kanë mbyt burrin se nuk ju kisha dhënë”, rrëfen Feride Muli.

Pasi zbriti nga traktori, Feridja u përball me realitetin e hidhur. Ajo tregon si shkoi te trupat e viktimave.

“Shkuan ata, erdhën tjerët, ata folshin serbisht, unë nuk ju folsha. Serbishten e di, e kuptoj shumë mirë, po nuk dojsha me fol, thojke qit pare. Ju thashë nuk kam. Çikat mbas me thonin jepi pare.  Ju thashë jo. Kur ka bërtit i thashë vramë se nuk kam. Më tha hyp e grahi traktorit. Ku me i grah, burrin e kishin mbyt. Këqyr, nuk është burri. Po e pyes një kushëri ku është Haziri. Thojke qetu ke. Ata i kishin vra dy. Çika iku mbas traktorit. Xhipat vishin plot, ju ra drita, po ma bën çika: nanë, qato katër këmbë që po duken a janë njerëz apo kafshë. Jo, thashë, ata njerëz janë. Më ka shku mendja menjëherë. Xhipi ka kalue, kam shku te xhenazja. Kur shkova, burri kokërr shpine, e preka burrin. I ftohtë. Po kthehem, po e thirri vajzën, tha: nanë, çka u bë? Thashë i paskan vra”, rrëfeu ajo për EO.

116 civilë të pafajshëm, burra, gra, djem dhe vajza, më 2 maj 1999 në Studime të Vushtrrisë, u vranë e u masakruan në mënyrë çnjerëzore nga forcat kriminale serbe. Tash e 26 vjet asnjë nga kriminelët serbë nuk ka dalë para drejtësisë për të dhënë përgjegjësi për këtë krim të kryer.

Të ngjashme

Të fundit