Policia e Kosovës, ka dhënë detaje rreth plagosjes që ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Prishtinë.
PK-ja njofton se policia rreth orës 03:00 ka marrë informatën për gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Rinia”, dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes ku edhe është bërë e ditur se një person ka marrë plagë zjarri, shkruan lajmi.net.
“Sot rreth orës 03:00, është raportuar për një gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Rinia” në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se një person ka marrë plagë nga arma e zjarrit. Ndërkohë që të plagosurit i është ofruar trajtimi i nevojshëm mjekësor, policia ka vazhduar me veprime të tjera operativo-hetimore dhe atyre të ekzaminimit me ç’ rast në vendngjarje ka gjetur dhe sekuestruar; Një revole të tipit TT, të kalibrit 7.62 mm, e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rast, si dhe Një copë fishek të kalibrit të njëjtë. ”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Tutje, PK-ja shton se, identifikimi dhe lokalizimi i të dyshuarve ka rezultuar me kapjen e tyre, ku janë arrestuar tre të dyshuar, Sh. S, mashkull, 17 vjeç, A, A mashkull, 26 vjeç, dhe S. A, mashkull, 30 vjeç.
“Thellimi i hetimit policor me synim , identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve ka rezultuar me kapjen e tyre nga ana e policisë dhe për rrjedhojë me aktvendim mbi ndalimin e personave të arrestuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit tre të dyshuarit e përfshirë në rast; Sh. S, mashkull, 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,A, A mashkull, 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe,S. A, mashkull, 30 vjeç, shtetas i huaj, janë dërguar në mbajtje në dyshimet për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” si dhe “Mbajtje në pronësi në kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës”, përfundohet në njoftimin e Policisë.