Ish-kryetari legjendar i New York-ut, Rudy Giuliani, një mbështetës i fortë i çlirimit të Kosovës, është plagosur në një aksident automobilistik në New Hampshire në SHBA, sipas rojes së tij të sigurisë.
Automobili i Giulianit u godit me shpejtësi të lartë nga pas, ndërsa po udhëtonte në autostradë, thuhet në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale.
Sipas deklaratës së rojes së sigurisë, Michael Ragusa, ai u diagnostikua me një thyerje në një vertebrë torakale, prerje dhe mavijosje të shumta, si dhe lëndime në krahun e majtë dhe këmbën e poshtme.
Giuliani u bë i njohur si “Kryetari i Amerikës” pas udhëheqjes së New York-ut gjatë 11 shtatorit.
Më pas u bë këshilltar dhe më pas avokat personal i Donald Trump.
Kujtojmë se së fundit, Rudy Giuliani kishte acaruar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq meqë në Sarajevë i kishte kujtuar faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe e quante Dodikun kriminel.
Giuliani, nuk është i dëshiruar në Serbi, për shkak të mbështetjes së bombardimeve të NATO-s më 1999.