3.5 C
New York
Friday, January 9, 2026

Buy now

Pjesë e fabrikës “Comodita” në Gjakovë digjet tërësisht, Gjini falënderon zjarrfikësit për profesionalizmin dhe vetëmohimin

- Advertisement -

Një pjesë e fabrikës së kompanisë “Comodita” në Gjakovë është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe djegien e tërësishme të një sektori të objektit. Ngjarja ka mobilizuar zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe ekipet komunale të emergjencave, të cilat për orë të tëra kanë luftuar me flakët për të parandaluar përhapjen e zjarrit.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, i cili ka qenë në terren gjatë tërë kohës, ka vlerësuar lartë angazhimin dhe profesionalizmin e shërbimeve emergjente. Ai tha se është dëshmitar i “vetmohimit dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm” të ekipeve që po luftonin me zjarrin.

“Comodita është punëdhënësi më i madh në Gjakovë dhe një nga kontribuuesit kryesorë në arkën e shtetit, si pjesë e Devolli Group,” theksoi Gjini, duke shtuar se kjo ngjarje përbën një humbje të madhe jo vetëm për kompaninë, por edhe për qytetin dhe gjithë vendin.

Kryetari i Gjakovës tregoi se edhe vetë pronari i kompanisë, Shkëlqim Devolli, ndonëse i pikëlluar nga dëmi i madh financiar, ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që po punonin për të vënë nën kontroll situatën. Devolli, sipas Gjinit, ka falënderuar Zotin që asnjë prej punëtorëve nuk ka pësuar lëndime.

Ndërkohë, ekipet e zjarrfikësve vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar pjesët e padëmtuara të objektit, të cilat janë jetike për vazhdimin e prodhimit.

Gjini kujtoi se ditët e para të këtij viti kanë qenë tepër të vështira për Gjakovën, pas vërshimeve që prekën shumë zona të qytetit. Ai njoftoi se Komuna do të punojë me intensitet për sanimin e dëmeve nga përmbytjet dhe shprehu besim se edhe “Comodita” do të arrijë të rikuperohet dhe të rikthejë prodhimin sa më shpejt që të jetë e mundur.

Kryetari gjithashtu shprehu falënderim të veçantë për zjarrfikësit e komunave fqinje për solidaritetin dhe ndihmën e tyre në këtë situatë emergjente.

Të ngjashme

Të fundit