Burim Piraj, biznesmen ka thënë me hyrjen në fuqi të vendimit të ZRrE-së për liberalizimin e tregut energjetik për bizneset ku parashihet të ketë rritje të çmimit të energjisë do të shfaqen probleme të mëdha.
Ai ka thënë se me një vendim të tillë, bizneset do ta kenë të vështirë të punësojë punëtorë të rinj.
“Mund t’i themi lamtumirë punësimit se kompanitë nuk do të kenë mjete për punësim dhe zgjerim një kohë të gjatë derisa të rregullohen gjërat duke paguar në një farë forme ‘tallin’e dikujt”, ka thënë Piraj në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai ka thënë se nuk janë kundër tregut të lirë energjetik, por siç është shprehur ai, ky në Kosovë është monopol.
Madje ai ka thënë se dyshon se më këtë vendim dikush do të ketë përfitime të mëdha.
“Liberalizimi që është duke u bërë në Kosovë nuk është i drejt. Sinqerisht më krijon përshtypjen se këtu dikush e ka përgatit trenin për përfitime marramendëse. Do të krijojë probleme për ne, sidomos për kompanitë prodhuese, kompanitë tregtare do t;i prek normal por më pak”, ka thënë Piraj.
Të enjten bizneset kanë paralajmëruar një protestë për të kundërshtuar vendimin e ZRrE-së për treg të lirë energjetik për bizneset me mbi 50 punëtorë apo 10 milionë euro qarkullim.